Raportet me Çekinë varen nga qeveria e re pas 23 qershorit
Licenca - Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi ti hiqte CEZ Shpërndarjes më 21 maj 2013 dy licencat, atë të shpërndarjes dhe furnizimit, pas diskutimesh dhe negociatash prej tre muajsh
Aksionet - Grupi çek, CEZ i bleu aksionet (76 për qind të tyre) të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në maj të vitit 2009, me vlerë 102 milionë euro dhe plan investimi 200 milionë
Politika - Kryeministri çek, Peter Necas, shprehu hidhërimin e tij, pas vendimit të ERE për heqjen e licencave, duke lëshuar mesazhin paralajmërues, se Shqipëria hodhi hapa pas për integrimin në BE.
Zhvillimet
CEZ thotë se largimi i kushtoi 200 milionë euro, kurse METE vlerëson 800 milionë euro
ARD KOLA
Askush nga të dyja vendet, Çekia dhe Shqipëria nuk do të donin të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, pavarësisht se kujt i takon përgjegjësia më e madhe për konfliktin energjetik që solli përçarje deri në nivel politik. Shteti çek zotëron pjesën kryesore të aksioneve te CEZ Group, ndaj një konflikt me këtë shoqëri do të thotë përplasje me qeverinë e një vendi anëtar me të drejta të plota në BE-së, nga ku Shqipëria shpreson të marrë votën pro për statusin kandidat.
Kanë kaluar më shumë se dy muaj kur ERE i hoqi licencat CEZ-it dhe prej asaj kohe, shoqëria, ku çekët zotëronin 76 për qind të aksioneve, menaxhohet nga shteti shqiptar, përmes administratorit të përkohshëm, Sahit Dollapi. Por ky menaxhim nuk mund të mbahet nga shteti shqiptar në mënyrë të përkohshme dhe pa afat, pasi në fund të fundit, pronari i CEZ Shpërndarje është kompania CEZ Group, e cila bleu 76 për qind të aksioneve në maj 2009 për 102 milionë euro.
Për këtë si dhe të tjera mosmarrëveshje, të dyja vendet kanë kontraktuar zyra avokatore, për tu mbrojtur në Gjykatën e Arbitrazhit. Megjithatë, ky është hapi final, që sipas gjasave do të caktohet nga qeveria e re, pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Aktualisht, qeveria Berisha ka ngrirë raportet me çekët dhe sa më shumë vonohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe mbajtja në pronësi të një kompanie, e cila nuk i takon (ligjërisht) shtetit shqiptar, më tepër komplikohet situata. Procesi drejt rrugës së arbitrazhit konsiderohet i gjatë. Deri më tani, qeveria është në proces të gjetjes së dy kompanive vlerësuese të bilanceve të CEZ Shpërndarje, si në aspektin financiar, ashtu edhe teknik. Pasi të përzgjidhen kompanitë, do të duhen të paktën edhe dy muaj kohë për vlerësimet dhe pas kësaj, qeveria do të nxjerrë klauzolat e blerjes së shoqërisë nga çekët. Pra, duke pasur një pasqyrë të qartë të gjendjes financiare dhe teknike të CEZ Shpërndarje, atëherë qeveria shqiptare do të ketë të drejtën e ofrimit të vlerës simbolike për blerjen e aksioneve. Në rast se çekëve nuk u duket e përshtatshme oferta e palës tonë, atëherë palët shkojnë në arbitrazh.
Por edhe këtu, para arbitrazhit, nevojitet kohë tekniko-ligjore. Sikurse e ka konfirmuar ambasadorja çeke në Tiranë, si dhe zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, palët kanë hapësirë ligjore për gjetjen e pajtimit. Në rast se në pushtet do të konfirmohen demokratët, atëherë loja do të luhet për gjetjen e një fature të përbashkët kompensimi, pra, para se të shkohet në arbitrazh, do të diskutohet varianti i zgjidhjes së hesapeve larg syve të gjykatësit. Në rast se pushteti ndryshon, kreu socialist, Edi Rama, ka dhënë sinjalin se do të shmangë arbitrazhin, duke aluduar për zgjidhje sa më konsensuale, madje zëra brenda PS-së nuk përjashtojnë mundësinë e rikthimit të CEZ në Shqipëri.
Deri më tani, palët kanë kryer disa vlerësime paraprake të humbjeve ekonomike pas vendimit të ERE për largimin e CEZ-it. Shoqëria çeke thotë se largimi nga Shqipëria i ka kushtuar të paktën 200 milionë euro, ku 102 milionë euro është blerja e aksioneve në maj 2009 dhe mbi 90 milionë euro janë investimet e kryera në këta katër vjet. Pala shqiptare thotë se keqmenaxhimi i shoqërisë, i shkaktoi bilancit energjetik dhe ekonomik të vendit një humbje prej të paktën 800 milionë eurosh, për të mos thënë edhe cenim të imazhit.
Bilanci
Kompania iku duke lënë 60 miliardë lekë borxhe
Mjafton të shikosh bilancin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike për të kuptuar sadopak gjendjen në të cilën ishte katandisur ky sektor. Sipas të dhënave të raportuara nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), CEZ arriti të faturonte në vitin 2012 rreth 48 miliardë lekë energji elektrike (pra sasi të hedhur në rrjet). Po sa u arkëtuan nga kjo energji e shpërndarë për konsumatorin? Afro 31 miliardë lekë!. Diferenca minus ishte vetëm njëra pjesë e humbjeve, e cila u bashkëngjitej borxheve të shumta të kompanisë, e cila vitin 2012 e mbylli me 60 miliardë lekë detyrime të pambledhura, ku pjesa dërrmuese u takon familjeve. Në katër vjet qëndrimi në Shqipëri, CEZ humbi rreth 10 miliardë kilovat energji elektrike, baras me dy vite prodhimi të energjisë elektrike, ose në shifra afro 80 miliardë lekë. Këto si dhe të tjera probleme sollën në fund vendimin e CEZ për tu larguar, pavarësisht se kompania pretendon se planet e qëndrimit në Shqipëri ishin afatgjata.
Raportet me Çekinë varen nga qeveria e re pas 23 qershorit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email