Prokuroria: Skema si CEZ vidhte 15 mijë konsumatorë
Faktet!
Dyshimet - Sipas prokurorisë, punonjës të specializuar në sektorin e informatikës dhe elektronikës manipulonin të dhënat në sistemin e sahatit të dritave në orët e natës
Ankesat - Mësohet se mesatarisht pranë CEZ në vitin 2012 vinin në muaj rreth 10 mijë ankesa për raste nga më të ndryshme, nga 1.1 milionë abonentë që ka kompania
Hetimet - Çekët kishin punësuar disa hakerë, që futeshin në sistemin kompjuterik dhe shtonin kilovatët
Ka dyshime të forta se abonentit i faturoheshin më shumë energji sesa konsumonte në një muaj
Mbifaturimi i energjisë elektrikë është bërë objekt hetimi nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa janë gjetur përgjegjësit e parë, të cilët kanë punuar në kompaninë CEZ që administrohej nga çekët. Hetuesit e njësisë Task-Forcë kanë zbardhur edhe skemën sesi faturoheshin më shumë energji konsumatorëve, bazuar edhe në kompjuterët e sekuestruar, që tashmë administrohen nga Sahit Dollapi. Ka dyshime se disa punonjës të kompanisë kontrollonin me pajisje të veçanta matësit e energjisë dhe shtonin në mënyrë fiktive kilovatët e energjisë së konsumatorëve. Të paktën këto janë informacionet e para që vijnë nga prokuroria, e cila ka autorizuar disa ekspertë për të verifikuar kompjuterët e sekuestruar dhe provat e tjera. Bazuar në informacionet e fundit, kemi dyshime se disa punonjës të kompanisë, futeshin në sistem të CEZ Shpërndarje dhe shtonin energjinë e konsumatorëve. Kjo skemë është bërë në qindra raste, pasi janë lënë disa gjurmë në këto kompjuter, thanë burimet nga prokuroria, sipas së cilëve, në këto prova janë gjetur të dhëna se matësit e energjisë janë kontrolluar edhe rreth orës 02:00-04:00 të mëngjesit, ku në të vërtetë, faturistët shkojnë kryesisht paradite ose pasdite.
Të gjitha këto fakte kanë sjellë dyshime të arsyetuara se CEZ Shpërndarje ka bërë një mbifaturim të energjisë elektrike. Megjithatë, burimet nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se do të marrin në pyetje edhe ish-punonjësit për të mësuar më shumë mbi faturimet, pasi deri më tani, provat u janë servirur nga punonjësit aktualë.
Skema e gjobës
Punonjësit e CEZ Shpërndarje vepronin në grup. Pasi matej energjia te konsumatorët, të dhënat hidheshin në sistem. Kontrollorët kishin një pajisje që u mundësonte që informacionet e marra nga çdo matës ta transmetonin menjëherë në sistemin e CEZ. Më pas, këto të dhëna administroheshin nga persona të tjerë, të cilët bënin llogaritjen e energjisë së harxhuar. Në fakt, pas hedhjes së këtyre informacioneve, disa persona futeshin në sistemin e CEZ me anën e kompjuterit ndryshonin kilovatët e energjisë, natyrisht duke i shtuar, pohojnë burimet nga akuza. Sipas tyre, ka pasur edhe raste që konsumatorëve u kanë ardhur edhe fatura të kripura, të cilat duhet të paguheshin, pasi në të kundërt ajo shtohej nga kamatëvonesa. Në shumë pak raste konsumatorë dhe biznese e kanë çuar çështjen në gjykatë, pasi edhe në këtë organ, individët duhet të paguanin një shumë për të regjistruar çështjen, aq më tepër që duhej paguar avokati dhe shpenzimet e tjera, për të mos harruar edhe zvarritjen e procesit, që në raste të tilla shkon deri në një vit. Prokuroria ka dyshime se skema e gjobëvënës është kryer në dëm të rreth 15 mijë konsumatorëve, të cilët kanë pasur mbifaturim. Madje, në disa raste mbifaturimesh, në sistemin e CEZ Shpërndarje shkruhej se këto shuma ishin gjoba të vendosura për lidhje të paligjshme. Burimet nga prokuroria pohojnë se deri më tani tre persona janë identifikuar si përgjegjësit për këto shkelje. Megjithatë, sërish ka dyshime për këtë grup, pasi gjithçka është zbuluar pas heqjes së licencës për kompaninë çeke, e cila ka paditur në Gjykatën e Arbitrazhit qeverinë shqiptare. Gjithçka duket si një hakmarrje e palës shqiptare, që po përgatit mbrojtjen, ku pjesë të fashikujve që do ti serviren Avokatit të Shtetit, apo ndonjë zyre avokatore ndërkombëtare, edhe pjesë nga dosja e Prokurorisë, që ka zbuluar këto mbifaturime.
Energjia e pamatur
Sipas burimeve nga Prokuroria mësohet se procedimi penal ka filluar për veprën penale të mundshme vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Pas padive të bëra nga disa qytetarë, mësohet se Prokuroria u ka kërkuar atyre faturat e fryra të energjisë dhe i ka bllokuar ato në cilësinë e provave materiale. Më pas kallëzimet në fjalë janë bashkuar në një dosje të vetme dhe sipas rastit, Prokuroria ka thirrur dhe ka marrë në pyetje faturistët e CEZ-it, të cilëve u janë kërkuar shpjegime për rastet e mbifaturimeve. Nga ana tjetër, organi i akuzës ka sekuestruar dokumente pranë zyrave të CEZ-it, përfshi vendimmarrjen e bordit dhe hierarkinë që ndjek krijimi dhe llogaritja e faturave. Sipas Prokurorisë, objekt i hetimit është edhe një vendim i bordit të CEZ-it për të faturuar energjinë e pamatur te qytetarët. Ky vendim, i cili kishte për qëllim faturimet shtesë referuar muajve paraardhës, sipas Prokurorisë, është marrë pas gjobitjes së CEZ-it nga ERE me 3 milionë euro. s.ç
25 milionë euro
Hetohen edhe transfertat jashtë vendit
Përgjatë vitit 2012, sidomos në tre muajt e fundit, ERE ka qenë në pikëpyetje të madhe se ku shkojnë paratë e mbledhura nga CEZ përmes aktivitetit të faturimit dhe arkëtimit të energjisë elektrike. Sipas ERE-s, CEZ duhet të derdhte në arkën e saj të paktën 25 milionë euro, deri në 30 milionë euro. Këto janë shifra që u referohen arkëtimeve mujore, duke mos llogaritur humbjet, vjedhjet apo keqperformancën e kompanisë. Janë të paktën 25 milionë euro të ardhura në muaj, ndaj shoqëria nuk mund të thotë se është në gjendje të vështirë financiare, thotë ERE, duke hedhur dyshime mbi sistemin e pagesave dhe transferimit të shumave jashtë vendit. Për këtë rast, është duke hetuar prokuroria, me kërkesë të Avokatit të Shtetit, me fokus kryesor gjetjen e rrugëve se ku shkonin paratë nga arkëtimi i dritave.
Prokuroria: Skema si CEZ vidhte 15 mijë konsumatorë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email