E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti - Shqipëria, vendi me rritjen më të lartë ekonomike në 2009-n

Instituti i mirënjohur i Kërkimeve Analitike të Ekonomive “Global Insight” ka publikuar dje tabelën e parashikimit të rritjeve ekonomike në 2009-n, për të gjitha vendet e botës, duke konfirmuar faktin se Shqipëria do të jetë e para në Evropë dhe e dhjeta në botë, me një ritëm rritjeje prej afro 6 përqindësh

TIRANE - “Në Tiranë mund të valëvitet flamuri kombëtar i qetë: Shqipëria është vendi me rritjen ekonomike më të madhe në Evropë për vitin 2009”.
Ky është kryetitulli i një të përditshmeje prestigjioze holandeze, për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2009, në një kohë kur ekspertët botërorë paralajmërojnë për përshkallëzim të krizës financiare deri në fund të vitit. Pas vitesh heshtjeje, citon gazeta holandeze, papritur dëgjon diçka shumë të rëndësishme nga ky vend. Në këtë vend duket sikur po ndodh në fakt ajo që duhet të ndodhte edhe në pjesën tjetër të Evropës e të globit: rritje ekonomike e shëndoshë. Nuk bëhet fjalë për vitin 2008, por për vitin 2009, vit i cili është cilësuar si një vit vendimtar në ekonominë botërore. Bëhet fjalë për vitin 2009, vit të cilin kryeministri Britanik Gordon Brown ‘gabimisht’ e interpretoi si një vit depresioni.
Ekonomia Shqiptare është e para në Evropë për sa i përket rritjes ekonomike, dhe për vitin 2009 parashikohet një rritje prej 5.4%. Këtë parashikim e ka dhënë Instituti i Global Insight, një Institut prestigjioz me një përvojë për më shumë se 40 vjeçare në fushën e kërkimeve analitike të ekonomive të më shumë se 200 vendeve në botë http://www.globalinsight.com).
Kjo është një arritje impresionuese, me të cilën Shqipëria renditet shumë lart edhe në rang botëror: vetëm 10 vende kanë një rritje më të lartë. Një arritje e tillë është në majat e nivelit botëror, duke pasur parasysh faktin se vetëm 10 vende të tjera kanë një rritje ekonomike më të madhe se Shqipëria për vitin 2009. Turkmekistani zë vendin e parë me 10.9%.
Raporti i Global Insight është në vazhdimësi me raportet e mëparshme të dhëna nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Shqipëria është nxënësi më i mirë i klasës në Evropë për vitin 2009.
Dhe natyrshëm shtrohet pyetja:
Si ka mundësi?
Që kur Shqipëria u nda nga komunizmi në vitin 1991, ekonomia e tregut e kombinuar me reforma, inflacion të ulët dhe stabilitet politik ka bërë mrekullia në Shqipëri. Në vitin 1997 u duk sikur gjërat do merrnin për keq kur shpërthyen trazirat në gjithë vendin me dështimin e skemave piramidale ku humbën lekët shumë shqiptarë.
Banka Botërore në raportin e saj shkruan për nivelin e kredidhënieve dhe kredimarrjeve në Shqipëri. Megjithëse ky nivel është rritur në vitet e fundit, përsëri niveli i kredive është më i ulët se vendet e tjera të Evropës Juglindore. Pikërisht ky faktor shihet nga Global Insight si një aspekt tjetër i cili ka ndikuar në ecurinë normale të ekonomisë Shqiptare edhe në një vit krize, si viti 2009. Si pasojë e kësaj praktike bankat të cilat operojnë në Shqipëri nuk janë ndikuar nga kriza në sektorin bankar si edhe nga rritja e Dollarit. Paksa e bezdisshme është fakti që në Shqipëri importet janë shumë të larta se eksportet, një problem ky që pjesërisht kompensohet me faktin se një pjesë e madhe e GDP-së së Shqipërisë fitohet nga shqiptarët që punojnë jashtë (Greqi, Itali). Ndërkohë që lufta kundër ekonomisë informale mbetet një drejtim kryesor i punës së qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›