E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti “ngatërrestar”

Edhe një herë tjetër, ndërkombëtarët tregohen të kujdesshëm me deklarimet e tyre, dhe në rastin e raportit të fundit, fjala “standarde” zinte pak vend.

Pra, sipas raportit, zgjedhjet ishin pjesërisht të mira. Në raportin me më shumë se 30 faqe flitet më së shumti për problemet që u hasën gjatë zgjedhjeve dhe pas tyre, veçanërisht në Tiranë dhe kritika pati jo pak ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor. Në fund, zgjedhjet lokale të 8 majit në Shqipëri nuk ka patën ndonjë notë përfundimtare.

“Raporti përfundimtar i ODIHR-it analizon zgjedhjet administrative të 8 Majit në Shqipëri për përputhshmërinë e tyre me angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, ashtu sikurse edhe me legjislacionin vendas. Si i tillë, të gjitha vlerësimet e bëra në raport bazohen mbi standardet. Sa i takon çështjes nëse zgjedhjet i përmbushën standardet, raporti citon qartësisht fusha ku ato u plotësuan, ashtu sikurse edhe fusha të tjera ku nuk u plotësuan. Raporti nënvizon se dy partitë kryesore politike nuk i përmbushën detyrimet e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme dhe se veprimet e shumë kundërshtuara të KQZ-së, sa i takon rezultatit për garën e kryebashkiakut në Tiranë, minuan besimin se KQZ po vepronte si një trupë jopartiake dhe e pavarur. Raporti gjithashtu pohon se pluraliteti dhe diversiteti i medieve lejoi votuesit të zgjidhin nga një numër i konsiderueshëm alternativash dhe se procesi i numërimit u vlerësua përgjithësisht pozitiv”, thotë për të përditshmen “Mapo”, zëdhënësi zëvendësues i ODIHR, Thomas Rymer.

Raporti listoi 27 sugjerime për reformën e ardhshme elektorale, duke përfshirë marrjen e masave për rritjen e besueshmërisë te KQZ dhe veprimtaria e saj. Por, për klasën politike shqiptare raporti është më se i qartë. Për të djathtën, ky raport vlerëson zgjedhjet, ndërsa për opozitën, raporti jep vulën e dështimit të procesit zgjedhor.

Në këtë kontekst, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sequi, duke mos u ndalur shumë tek raporti, shikon kah e ardhmja, duke i bërë thirrje klasës politike në Shqipëri që të bashkëpunojë për reformë në Kodin Zgjedhor.

"Raporti tashmë është publikuar dhe Komisioni Evropian do të marrë në konsideratë në mënyrë të qartë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, përsa i përket hartimit të raportit të progresit që do t’i dorëzohet Ministrisë së Jashtme më 12 tetor", theksoi sot ai nga Shkodra ku ishte i pranishëm në një aktivitet. “Mendoj se duhet të presim për raportin e progresit, në mënyrë që të japim një vlerësim koherent. Që Shqipëria të ecë drejt Evropës, duhen pasur parasysh disa gjëra, ku në radhë të parë duhet konsideruar çështja e integrimit evropian, si një çështje interesi dhe prioriteti kombëtar", tha ambasadori Sequi.

"Ajo çfarë kërkohet duhet një angazhim i plotë dhe i fortë nga aktorët e politikes shqiptare, pra duhen zbatuar të gjitha prioritetet që Komisioni Evropian ka përcaktuar për Shqipërinë, në mënyrë që të eci përpara", shtoi ai. Sipas tij, "për të bërë këtë gjë, që e kemi thënë edhe herë të tjera dhe do të doja ta përsërisja përsëri, është e domosdoshme që të rifillohet dialogu politik në Shqipëri".

Në fund, Sequi kërkoi qe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it duhet të zbatohen.  “Ka një marrëveshje që rekomandimet e OSBE-ODIHR duhen zbatuar dhe mendoj që është e rëndësishme që kjo marrëveshje të zbatohet", tha ai.

Në një reagim të fundit, Partia Demokratike i kundërpërgjigjet kreu socialist Rama, duke nënvizuar se raporti është i qartë, por ai është lexuar me “syzet e shokut Ruçi”. “Raporti i OSBE/ODHIR-it, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, shpall zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje kompetitive, transparente, aspektet pozitive të të cilave janë bazë për progres të mëtejshëm”, tha zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj. Më tej, ajo tha se me letrën e hapur, Rama është në mbështetje të plotë të trazirave të dhunshme në Londër, Athinë dhe Paris, “duke aluduar që kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri”.

“Por, kur një drejtues që thur 21 Janarin dhe fton për dhunë të re, tregon se është në dëshpërim të thellë dhe, se ftesa e tij për dialog, kontraston me provokimin që i bën ai vandalizmit dhe zjarrvënësve, që janë shfaqur rrugëve të Londrës dhe qyteteve të tjera”, shtoi ajo. Në fund të deklaratës, Partia Demokratike fton Partinë Socialiste dhe gjithë forcat politike të vendit, të shohin drejt të ardhmes për të kompletuar rekomandimet e OSBE/ODHIR-it të vitit 2009 dhe 2011. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-08-17 15:58
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›