E Enjte, 5 Nëntor 2026

Raporti i Dick Marty, Rama në KiE: ‘Fake news-i’ më i tmerrshëm që baltosi gjakun e një kombi për liri

Në fjalën drejtuar Këshillit të Europës për anulimin e raportit të Dick Martit që përbalt luftën për liri në Kosovë, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë raport si fake news më të tmerrshëm të shpërndarë ndonjëherë.

Duke theksuar fort se ky raport akuzon për krime të tmerrshme drejtuesit më të lartë të UÇK-së, Rama thotë se akuzat nuk u vërtetuan kurrë edhe pse kanë kaluar 10 vite dhe se tashmë KiE duhet të miratojë një rezolutë ku hedh poshtë këtë raport dhe i kthen dinjitetin Kosovës dhe luftëtarëve të saj për të sjellë lirinë

“Raporti përmendte me emër drejtues të lartë të UÇK dhe i akuzonte për krime të tmerrshme, përfshirë edhe trafikim organesh. Ai raport nuk provoi asnjë nga akuzat. Edhe delegacioni shqiptar i atëhershëm nuk e pengoi këtë, edhe pse nuk pati asnjë gjë pro nga ato që autorët e raportit pretendonin. Unë jam këtu sot jo sepse ne nuk e dinim që ky është lajmi më i tmerrshëm i shpërndare ndonjëherë, i shpërndarë këtë herë  nga Këshilli i Evropës por pritëm me durim  për të parë akuzën zyrtare. Janë pretendimet tërësisht të pavërtetuara të një ish kryeprokurore në kërkim të shitjeve të mëdha të librit të saj çoi në një mocion e më pas në një raport që më pas i shndërrua në një rezolutë të kësaj Asambleje parlamentare që çoi më pas në krijimin e prokurorisë speciale që kërkon të dënojë drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare”, tha Rama.

Gjenocidi dhe krimet e luftës që Millosheviçi bëri mbi Kosovë duke sjellë vdekjen, Rama e vendosi në paralele me luftën që po zhvillon sot Putin në Ukrainë. Kryeministri Rama tha se ashtu si lufta në Ukrainë nuk mund të anashkalohej nga komuniteti ndërkombëtar edhe në Kosovë NATO vendosi drejtësinë.

“Kosova dhe Ukraina janë 2 kombe që duan të jetojnë të lirë, të ndjekur nga demonë të së shkuarës. Dhe ka 2 tiranë të dështuar, një i vdekur dhe një që luan me vdekjen. Të gjithë ju kujtohet ndikimi shkatërrues i shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Një aksion i qëllimtë barbar i kryer nga Sllobodan Milloshevicci. Rreth 20 mijë gra  përdhunuan. Këto janë të dhëna zyrtare nga ndërkombëtare. Ndërkohë mijëra janë të zhdukur, të gjallët kërkojnë njerëzit e tyre, të vdekurit ende nuk e kanë gjetur paqen e varrit. Britma e dëshpërimit të Kosovës nuk mund të shpërfillej më dhe bota demokratike u vë në lëvizje e vendosur. Ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s njohu luftën e UÇK që solli pavarësinë pak më pas. Drejtësia u vendos”, tha Rama.

Anulimi i raporti të Dick Martit, për Ramën do të mundësojë që Ballkani Perëndimor të shndërrohet në një model bashkëjetese dhe të mos mbetet më peng i të kaluarës.

“Ne duam të shohim Ballkanin si një model bashkëjetese paqësore, jo më peng i së shkuarës por ndërtues të së ardhmes. Megjithatë mënyra se si i qasemi të shkuarës është shumë e rëndësishme”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij para eurodeputetëve, kryeministri Rama kërkoi që tashmë ndërkombëtarët ta njohin shtetin si “Kosova” dhe jo “Kosovo”.

“Ka kombe ne historinë e botës që jetojnë të gjithë jetën duke mbrojtur lirinë e tyre, të rrethuar nga dhuna e gënjeshtrat apo hipokrizi ndërkombëtare që bën sehir, ata shpresojnë të rezistojnë për aq kohë sa munden, ky është rasti i Ukrainës, e ky është rasti i Kosovës disa dekada më parë. Sa i zellshëm është Putin për të hequr paralele mes Krimesë dhe Kosovës, provat nuk e mbështesin, nuk ka asnjë paralele mes Kosovës dhe Krimesë, por mes Ukrainës dhe Kosovës, të nisni t’u mësoni edhe organizmave të tjera ndërkombëtarë që ta shkruajnë Kosova jo Kosovo, është Republika e Kosovës”, tha Rama.

Më 12 gusht Shqipëria i dorëzoi zyrtarisht Këshillit të Evropës Rezolutën kundër raportit të Dick Martyt “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, që u miratua në Kuvend më 21 korrik me 125 vota pro.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›