Raporti i KLSH, Xhafaj: Pasqyron progres, nevojitet zbatim më i plotë i rekomandimeve

Kreu i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale Fatmir Xhafaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend për raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për vitin 2024, e cilësoi këtë debat si një nga momentet më të rëndësishme të veprimtarisë parlamentare.
Sipas Xhafajt, raporti i këtij viti pasqyron një realitet kompleks, ku ka pasur përparime të dukshme, por edhe sfida që kërkojnë adresim të mëtejshëm për të arritur potencialin e plotë kushtetues të institucionit.
Ai theksoi se zbatimi i plotë i rekomandimeve të KLSH-së është thelbësor për rritjen e integritetit të administratës dhe besimit të qytetarëve në përdorimin e fondeve publike.
“Kjo mazhorancë e kësaj qeverie i ka dhënë këtij institucioni gjithë mbështetjen e nevojshme për të kryer detyrën me përgjegjësi, llogaridhënie e profesionalizëm. Raporti tregon një realitet kompleks, që ka avancuar pozitivisht në disa drejtime, por ka ende rrugëtim për të përmbushur potencialin e vetë të plotë kushtetues.
Pavarësisht përmirësimit gradual, ende mbetet i ulët niveli i zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së pasi rezulton se vetëm 60% e subjekteve të audituara kanë raportuar për efektshmërinë e rekomandimeve të dhëna. Ky fakt kufizon transparencën dhe efektivitetin e procesit të auditimit publik. Zbatimi i plotë i rekomandimeve është thelbësor për rritjen e integritetit të administratës dhe besimit qytetar te përdorimi i fondeve publike.
Rekomandimet e KLSH-së duhet të synojnë korrigjimin e shkeljeve të konstatuara dhe shpërblimin e dëmeve të shkaktuara, forcimin e mekanizmave te brendshme të kontrollit dhe transparencës në administratën publike, çka është thelbësore në parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e performancës së institucioneve në administrimin e buxhetit të shtetit”, tha Xhafaj.
Ky i fundit theksoi se KLSH duhet të reflektojë mbi gjetjet dhe rekomandimet e progres raportit të Bashkimit Europian, duke e cilësuar si shqetësues faktin që Komisioni Europian ka përsëritur të njëjtat rekomandime nga një vit më parë.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime mbi kritere të brendshme të KLSH-së, si përcaktimi i vjetërsisë, lëvizjet në detyrë dhe shpërndarja e ngarkesës së punës, që sipas tij “cenojnë profesionalizmin dhe stabilitetin e stafit”.
Në përfundim, Xhafaj nënvizoi se progres raporti i vitit 2025 kërkon forcimin e veprimtarisë së nënkomisionit parlamentar për auditin, me fokus të veçantë në garantimin e mbikëqyrjes dhe zbatimit të rekomandimeve të auditit nga ekzekutivi.
“Për KLSH-në duhet konsideruar domosdoshmëri reflektimi në gjetjet dhe rekomandimet e progres raporti të BE-së pasi nuk është tregues pozitiv fakti që KE ka lënë të njëjtat rekomandime si të një viti më parë ku kërkon delegimin e më shumë përgjegjësive financiare dhe menaxheriale për të përmirësuar llogaridhënien. Shqetësim, përcaktimi i kritereve mbi vjetërsinë, lëvizjen në detyrë, shpërndarjen e ngarkesës së punës që cenojnë profesionalizmin dhe qëndrimin në punë të stafit të institucionit.
Progres raporti i 2025 kërkon forcimin e veprimtarisë së nënkomisionit parlamentar për auditin me fokus të posaçëm në garantimin e mbikëqyrjes, zbatimit të rekomandimit të auditit nga ekzekutivi”, theksoi Xhafaj.