E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raporti i KLSH-së “përplas” PS-PD në Kuvend, Gogu: Mashtroni qëllimisht qytetarët me të pavërteta

Prezantimi i raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2024 është shoqëruar me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, reagoi ndaj akuzave të opozitës, duke deklaruar se KLSH nuk është institucion për të bërë politikë dhe se opozita dezinformon qytetarët qëllimisht me të pavërtetat dhe gënjeshtrat që thotë.

“KLSH nuk ka ardhur të bëjë politikë, ndërkohë zotëria i 21 janarit i ngatërron qëllimisht binarët e kontrollit parlamentar me institucionin e KLSH-së. Këtu dëgjoj pavërtetësi dhe gënjeshtra kokë e këmbë. Zotëria i 21 janarit është përpjekur fort, kur ishte kryeministër, të nënshtrojë KLSH-në. Ai ka diskriminuar, vrarë e torturuar dhe ka larguar njerëz nga puna vetëm sepse ishin socialistë,” deklaroi Gogu.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, e akuzoi qeverinë për korrupsion, duke iu referuar të dhënave të raportit të KLSH-së.

“Në raportin e KLSH-së flitet për 900 milionë euro të vjedhura, jo nga njerëz të paidentifikuar, por nga vetë qeveria në dy vite. Pastori ka misionin e tij në librat e shenjtë, të ndalojë djallin duke tundur temjanin, por nuk ka padrejtësi më të madhe se kur pastori kthen temjanin nga djalli”, tha Noka.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›