Qeveria greke: Nuk e ratifikojmë MSA-në nëse nuk na njihni 4 varreza ushtarësh
Një kusht i pakthyeshëm i është komunikuar pak ditë më parë shtetit shqiptar nga pala greke lidhur me ratifikimin e MSA-së. Një delegacion grek i ardhur pak kohë më parë ka takuar disa përfaqësues të lartë të diplomacisë shqiptare, ndërsa kushtet e parashtruara prej palës greke kanë lënë “me gisht në gojë” diplomatët shqiptarë. Gjatë takimit të zhvilluar pak ditë më parë zyrtarët grekë kanë deklaruar se “njohja e katër varreve si përmendore të ushtarëve grekë në katër qytete të Shqipërisë është një kusht i pakthyeshëm për palën tonë lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në Parlamentin grek”, - mësohet të jenë shprehur diplomatët grekë. Sakaq mësohet se prej disa ditësh diplomacia shqiptare është zënë ngushtë si pasojë e këtij kushti të panegociueshëm për palën greke. Në datën 7 korrik zyrtarisht u shtynë negociatat mes palëve (për në shtator) lidhur me ratifikimin e MSA-së. Por duket se lëvizjet e nëndheshme diplomatike mes përfaqësive respektive kanë nxjerrë në pah disnivelin e madh të pretendimeve mes palëve.
Dyshimet
Ravijëzimi i kësaj kërkese të palës greke është paralajmëruar rreth 2 muaj më parë në revistën “MAPO”, ndërsa duket se pak ditë më parë këto pretendime janë shfaqur në formën e një kërkese të panegociueshme nga diplomatët grekë. Sipas propozimit grek, nuk do të jenë një, dy apo tre varreza memoriale të ushtarëve grekë në Shqipëri, por plot katër të tilla. Gjithmonë sipas palës greke, ato kërkohet të ndërtohen në Këlcyrë, Ersekë, Çiflig të Korçës dhe Bularat. Pra, Kosina dhe konflikti që ajo shkaktoi, kur në maj të 2006-s u zhvarrosën eshtrat e banorëve të zonës me pretekstin e gjetjes së varreve të ushtarëve grekë, nuk e kanë ndalur, siç shihet, projektin e Athinës për të krijuar varreza ushtarësh në disa lokalitete të Jugut. Një element tjetër delikat mbetet ai i identifikimit të numrit të ushtarëve grekë të rënë në vendet ku kërkohet të ndërtohen varrezat në fjalë. “Nuk dihet nëse është pikërisht kjo politikë koncesionesh shtysa kryesore për kërkesën e fundit të palës greke, që varrezat e ushtarëve grekë të shkojnë në katër të tilla në Jug të Shqipërisë. Gjithsesi, ky akt vendoset në një panoramë lëshimesh nga ana e qeverisë sonë, e cila rregullisht ka pranuar të lëshojë pe përballë presioneve të palës greke.
Diplomacia
Por duket se kësaj here grekët janë më të interesuar se kurrë për të vënë në zbatim njohjen e këtyre varrezave. Duket se edhe kësaj here diplomacia shqiptare po shfaq shenjat e para të dobësisë, ndërsa nuk është kthyer asnjë përgjigje nga pala jonë, apo në kushtet kur “hallakatja” ka kapluar një pjesë të mirë të ekspertëve diplomatikë të angazhuar me këtë çështje. Megjithatë, askush nuk mund të thotë në këto momente se sa do të tolerojë pala shqiptare, e cila zyrtarisht do të rifillojë negociatat e përmbylljes së një pike të nxehtë në marrëdhëniet tona – atë që ka të bëjë me ushtarët e Luftës italo-greke. Një problem që ka qenë kurdoherë i ndjeshëm mes dy vendeve dhe që është shtyrë për vite me radhë, pa gjetur një zgjidhje përfundimtare. Deri në vitin 2005, kur në pushtet ishin socialistët, përgjigjet e Tiranës zyrtare në atë kohë ishin diplomatike dhe evazive.
Greqia dhe Shqipëria nuk kanë nënshkruar që nga janari i vitit 2006 një marrëveshje dypalëshe mes tyre, duke përjashtuar rinovimin e marrëveshjes rutinë për dërgimin e të sëmurëve tanë në spitalet greke. Kjo pauzë flet qartë për nivelin e ulët faktik të marrëdhënieve, duke përfshirë dhe shtyrjen e ratifikimit të MSA-së mes vendit tonë dhe BE-së nga ana e Parlamentit grek. Propozimi grek për varrezat e ushtarëve të Luftës italo-greke pret përgjigjen e palës shqiptare. Mbetet të shihet nëse ai do të jetë i kënaqshëm edhe për opinionin publik shqiptar, i cili, siç ka ndodhur në raste të ngjashme, ka reaguar mjaft ashpër ndaj hapave të tillë të iniciuara në Athinë dhe të firmosura në Tiranë.
Greqi-Shqipëri, edhe varret “luajnë” pjesën e tyre
Problemi i varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri është i vjetër dhe i njohur për dy anët e kufirit. Gjatë qeverisjes socialiste ka pasur mjaft bisedime mes palëve për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Në tetor 2004 presidenti i atëhershëm grek, Stefanopulos, ka vizituar disa varreza ushtarësh grekë në Bularat dhe Këlcyrë dhe të njëjtën gjë kishte planifikuar të bënte edhe presidenti Papulias gjatë vizitës së dështuar në Sarandë disa vite më parë. Shumëkush kujton sesi presidenti grek e anuloi vajtjen në qytetin bregdetar pasi mësoi se në dyert e hotelit ku do të zhvillohej takimi me Moisiun po zhvillohej një manifestim paqësor i çamëve, që kërkonin pronat e tyre në Greqi. Sipas burimeve të medias greke, llogaritet që të jenë rreth 8000 ushtarët e vrarë në Luftën italo-greke. Ky kontingjent të vrarësh dhe sidomos mënyra e sistemimit të tyre, përbëjnë një çështje të hapur diskutimi mes dy vendeve. Kjo vjen pasi trajtimi i tyre si dëshmorë shfrytëzohet nga qarqe të caktuara në Greqi për të nxitur politikën e Vorio-Epirit, e cila tradicionalisht e ka konsideruar Jugun e Shqipërisë si “tokë greke”.
Kosinë, analiza mjeko-ligjore rrëzoi pretendimet greke
Mes eshtrave të nxjerra në fshatrat Kosinë dhe Kutal të Përmetit ka pasur edhe eshtra grash dhe fëmijësh të moshave të vogla. Këto përfundime janë tashmë në dosjen përkatëse, përpiluar qetë muaj më parë nga ekipi special i Prokurorisë së Përgjithshme. Pas shumë hamendësish, apo informacionesh paraprake që ishin bërë të ditura jo zyrtarisht mbi përkatësinë reale të eshtrave të nxjerra në zonën e Përmetit, mjeku eksperto-ligjor Sokrat Meksi, pak kohë më parë, në një prononcim të tij për median, ka pohuar se në grupin e eshtrave janë gjetur edhe eshtra të seksit femër apo të fëmijëve. “Gjë që tregon se në fakt nuk kemi të bëjmë vetëm me eshtra të ushtarëve grekë që kanë luftuar në zonën e Përmetit gjatë Luftës italo-greke”, - është shprehur mjeku pak kohë më parë. Por faktet, sipas mjekëve eksperto-ligjorë, tregojnë që nga grupi i cili hapte varret janë marrë gabimisht ndoshta edhe eshtra të banorëve të zonës, të varrosur në kohë të ndryshme. Në prononcimin e tij mjeku ligjor Sokrat Meksi ka vënë gjithashtu në dukje se eshtrat e gjetura kanë qenë të shpërndara, që do të thotë se ato kanë qenë edhe pjesë të veçuara të një trupi. Nga ana tjetër, z. Meksi tha se në grumbullin e eshtrave janë gjetur edhe elementë të tjerë, si kopsa apo unaza grash, si dhe sende të ndryshme.
16 Gusht 2008