E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i Komisionit rekomandon marrjen e statusit

10-12-2012 / Gazeta 55

Brukseli nis sot shqyrtimin e dosjes së statusit të kandidatit për Shqipërinë

Këtë javë në Bruksel do të mbahet takimi i ministrave të jashtëm të bllokut 27 anëtarësh të BE-së, ku do të jepen sugjerimet për aspiratën integruese të vendeve të Evropës Juglindore. Ndërsa në samitin e Bashkimit Evropian, i cili do të mbahet në datat 13 dhe 14 dhjetor, do të shqyrtohet propozimi i Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë. Pas diskutimeve që do të bëhen sot nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së, vendimin përfundimtar dhe zyrtar do ta marrë Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, që mblidhet gjatë ditës së martë. Vendimi i Ministrave i kalon vetëm për miratim formal krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, në ditën e dytë të samitit evropian, me 14 dhjetor.
Burime diplomatike pranë zyrtarëve të BE theksojnë rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për Shqipërinë, por fjala e fundit i mbetet Këshillit të Ministrave të BE. Progres-raporti i KE për vitin 2012-ë konstaton miratimin e pjesës dërrmuese të 12 rekomandimeve të statusit, ndërsa masë kritike për Shqipërinë, u përcaktuan 3 ligjet e mbetura. Nëpunësi Civil, Gjykata e Lartë dhe Reforma Parlamentare janë 3 kushtet e pa-miratuara nga ligjvënësit shqiptarë. Të tre këto kushte ndodhen në Kuvend që prej muajit shtator në pritje të votës së opozitës, e cila me një sjellje aspak koherente me zhvillimet drejt perspektivës së integrimit, i vë përballë shantazhit të karriges së kreut të qarkut Fier. Katër muaj pasi këto ligjet iu adresuan parlamentit për miratim si pjesë e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, vërehet veç regres - kjo si pasojë e qëndrimit anti-evropian të Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj Edi Rama. Përtej çdo imagjinate normale, kreu i PS ka refuzuar sistematikisht thirrjet e liderëve të BE, anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe të vetë komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle.
Deklarata e tij më 10 tetor të këtij viti, gjatë prezantimit të progres-raportit, ishte prerazi e qartë: “Shqipëria do marrë statusin e kandidatit në BE, pasi të ketë miratuar edhe 3 ligjet e mbetura, deri në muajin dhjetor”.
Kësisoj, java e dytë e muajit dhjetor, merr një rëndësi të veçantë për kursin e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së. Statusi i kandidatit vendoset pikërisht brenda kësaj jave. Dhe nëse vendimi i ministrave të jashtëm të BE, do jetë sërish negativ sikurse gjatë dy viteve të fundit, atëherë përgjegjësi i bllokimit të integrimit të Shqipërisë në BE, ka vetëm një emër. Edi Rama! 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›