Raporti i ODIHR: Kodi Zgjedhor i kompletuar, duhet vetëm zbatimi i tij. Shqetësim për saktësinë e listave
ODIHR ka publikuar raportin e vlerësimit të nevojave për zgjedhjet e tetë majit, që praktikisht është raporti i parë në serinë e disa të tillëve që publikohen nga OSBE/ODIHR për gjithë procesin elektoral, përfshi këtu fushatën, zgjedhjet dhe post- votimet.
Në raport thuhet se mjedisi politik është shumë i polarizuar. Mjedisi politik vazhdon të jetë thellësisht i polarizuar, me një retorikë të ashpër dhe sulme personale nga udhëheqësit e partive politike kryesore. Gjithashtu, më 21 janar protestat anti-qeveritare të opozitës rezultuan të dhunshme, shumë të plagosur dhe tre të vrarë. Një pjesë e mirë e retorikës vazhdon të përqendrohet në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe në çështjen e korrupsionit. Janë bërë edhe deklarata, të cilat aludojnë për mundësinë që jo të gjitha partitë do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, thekson raporti.
Sipas ODIHR, Kodi Zgjedhor është i kompletuar, vetëm duhet zbatimi i tij. Për një kohë të gjatë OSBE/ODIHR-i ka deklaruar se Kodi Zgjedhor përbën një themel të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike1 dhe se ajo që nevojitet më së shumti është angazhimi i partive politike për të respektuar germën dhe qëllimin e ligjit. Megjithatë, kohët e fundit ka nisur diskutimi për ndërmarrjen e reformave të mëtejshme para zgjedhjeve vendore të vitit 2011, thuhet në raport.
Në raport thuhet se KQZ është e ndarë në linja partiake. Me gjithë detyrimin e anëtarëve të KQZ-së për të përmbushur detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, përgatitjet për zgjedhjet vendore tashmë e kanë ndarë KQZ-në në linja partiake. Anëtarët e opozitës në KQZ nuk kanë marrë pjesë në disa mbledhje të KQZ-së ose i kanë braktisur ato, dhe praktika e nënshkrimit të udhëzimeve si nga Kryetari ashtu dhe nga Nënkryetari duket se nuk ekziston më.
Pjesë nga raporti
Shqetësim për zëvendësimet e anëtarëve të komisioneve të ulëta
Procedurat e emërimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta nuk kanë ndryshuar që nga viti 2009, me gjithë rekomandimin e OSBE/ODIHR-it për rishikimin e tyre. Kjo u jep partive mundësinë të tërheqin dhe të zëvendësojnë anëtarët e tyre në komisionet zgjedhore në çdo moment gjatë zgjedhjeve, përfshirë ditën e zgjedhjeve dhe pas saj. Disa prej partive me të cilat u takua MVN-ja e OSBE/ODIHR-it e mbrojtën këtë praktikë, si dhe emërimin fillestar me vonesë të anëtarëve, si mënyrë për të mbrojtur anëtarët e tyre ndaj trysnive për të kryer mashtrim.
Shqetësim për saktësinë e listave zgjedhore
Që në vitin 2009, dhe në përputhje me Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, janë bërë përpjekje të mëtejshme për të vazhduar përmirësimin e cilësisë së listave të zgjedhësve, duke hequr, për shembull, emrat e dubluar. Për më tepër, Ministria e Brendshme (MeB) u kërkon të gjitha NjQV-ve të rishikojnë saktësinë e të dhënave për të gjithë votuesit mbi 100 vjeç, emrat e të cilëve janë në regjistër. Me gjithë këto përpjekje, disa bashkëbisedues të MVN-së së OSBE/ODIHR-it përsëri ngritën shqetësime për saktësinë e listave të zgjedhësve.
400 vëzhgues të ODIHR në zgjedhje
Bazuar në konstatimet e mësipërme, MVN-ja e OSBE/ODIHR-it rekomandon ngritjen e një Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore. Për tiu përgjigjur kërkesës për një prani të madhe të vëzhguesve, si dhe duke pasur parasysh numrin e madh të zgjedhjeve të pavarura që po organizohen si pjesë e zgjedhjeve vendore, krahas një ekipi bërthamë ekspertësh, misioni duhet të përfshijë 30 vëzhgues afatgjatë për të ndjekur fushatën dhe përgatitjet për zgjedhjet. Po kështu, MVN-ja e OSBE/ODIHR-it rekomandon që shteteve pjesëmarrëse në OSBE tu kërkohet të dërgojnë 400 vëzhgues afatshkurtër për të ndjekur procedurat në ditën e zgjedhjeve. Për shkak të kohës së gjatë të parashikuar të procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjes së tabelave të rezultateve, vëzhguesve afatshkurtër duhet tu kërkohet të qëndrojnë disa ditë pas ditës së zgjedhjeve për të ndjekur të gjithë procesin.