Raporti i ODIHR-it: KQZ, e ndarë në linja partiake
Misioni i Vlerësimit të Nevojave nga OSBE/ODIHR-i, në raportin paraprak për zgjedhjet e 8 Majit 2011, konstatoi se me gjithë detyrimin e anëtarëve të KQZ-së, për t’i përmbushur detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, përgatitjet për zgjedhjet vendore kanë çuar tashmë në ndarjen e KQZ-së në linja partiake. “Anëtarët e opozitës në KQZ nuk kanë marrë pjesë, ose kanë braktisur një numër mbledhjesh të KQZ-së. Ndonëse kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së duhet të bashkëpunojnë në realizimin e detyrave të tyre, raportohet se praktika e nënshkrimit të udhëzimeve, si nga kryetari, ashtu dhe nga nënkryetari nuk ekziston më”, thuhet në raport. Kjo konstatohet se nuk është kundër rregullores së brendshme të KQZ-së, e cila e lejon Kryetarin t’i nënshkruajë i vetëm udhëzimet dhe t’i dërgojë ato në KQZ për miratim me shumicë votash. Megjithatë, vlerëson raporti i OSBE/ODIHR-it, kjo përbën një ndryshim në praktikën e ndjekur zakonisht, ku më parë udhëzimet nënshkruheshin, si nga kryetari, ashtu dhe nga nënkryetari. “KZAZ-të emërohen nga KQZ-ja. Formula e propozimit të anëtarëve të KZAZ-ve pasqyron atë të KQZ-së, në aspektin e përfaqësimit politik. Megjithatë, në gjysmën e KZAZ-ve, kryetari propozohet nga shumica parlamentare, në gjysmën tjetër nga opozita parlamentare. Nënkryetari dhe sekretari i përkasin partisë kryesore politike, që nuk kryeson KZAZ-në përkatëse. Qendrat e votimit administrohen nga KQV-të, të cilat caktohen nga KZAZ-të, sipas së njëjtës strukturë dhe formulë si për KZAZ-të”, theksohej në raport. Ekspertët nga Varshava konstatonin se procedurat e emërimit për komisionet zgjedhore të niveleve më të ulëta nuk janë ndryshuar që nga viti 2009, me gjithë rekomandimin e OSBE/ODIHR-it për rishikimin e tyre.