E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushti i PS-së për zgjedhjet, PD nuk lëshon “pe” për KQZ

TIRANË- Për Partinë Demokratike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shihet si një institucion që punon konform ligjit, duke mos llogaritur deri më tash mundësinë e rikompozimit të saj, e aq më shumë largimin e Arben Ristanit nga drejtimi i KQZ-së. Burime nga PD-ja deklaruan dje për gazetën “Mapo”, se në tryezën e tyre nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga ana e PS-së, për të ndryshuar KQZ-në, ndërkohë që deri më tani PD përjashton mundësinë e ndryshimit të saj, sa kohë që sipas zyrtarëve të selisë blu, kjo KQZ ka punuar konform rregullave që ka parashikuar Kodi Zgjedhor. Në anën tjetër, PS-ja ende në rrugë jo zyrtare ka hedhur në tregun mediatik tre kushte, pa të cilat opozita nuk mund të sigurohet se zgjedhjet e afërme lokale do të jenë të lira dhe të ndershme. Dy ditë më parë, në një intervistë për revistën “Mapo”, kreu i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përgjegjësi kryesor për shkeljen e Kodit dhe manipulimin e zgjedhjeve të kaluara. Sipas Ruçit, KQZ-ja ka humbur çdo lloj kredibiliteti dhe besimi publik, për të qenë në krye të zgjedhjeve të 2011. Në intervistën e dhënë, Ruçi kërkoi gjithashtu shkarkimin e kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, kërkesë kjo që në rrugë jo zyrtare nuk është marrë parasysh nga selia blu. “Kryetari i KQZ-së është shkaktari kryesor i manipulimit të zgjedhjeve, është shkaktari kryesor i krizës politike dy vjeçare, pasi nëse z.Ristani dhe komisioni që ai drejton do të kishin zbatuar kërkesat e Kodit Elektoral, duke plotësuar kërkesën e bërë komisionit nga dy anëtarë të tij, nuk do të kishim dy vjet krizë politike në Shqipëri...Manipulimi i dokumentacionit zgjedhor i zgjedhjeve të qershorit 2009, të cilat po fotokopjohen edhe sot në zyrën e z.Ristani, për t’i përdorur këto të dhëna të këtyre zgjedhjeve për të manipuluar zgjedhjet e 2011, është përsëri një fakt konkret që penalizon dhe ndëshkon z.Ristani. Për të gjitha këto, KQZ-ja dhe kryetari i saj duhet të ishin larguar me kohë”, - u shpreh Ruçi për revistën “Mapo”. Por përpos pretendimeve të PS-së, të hedhura mediatikisht dhe të përcjella edhe në takimet me ndërkombëtarët, Partia Demokratike mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj se zgjedhjet lokale e kanë tashmë një KQZ të ngritur konform ligjit. Arben Ristani u zgjodh në krye të KQZ-së dy vite më parë me votat e dy partive të mëdha PD-PS. Ai u emërua anëtar i KQZ-së në vitin 2006. Më pas, Ristani u emërua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë si drejtor i Shkollës së Magjistraturës, detyrë të cilën ai nuk e mbajti gjatë për shkak të propozimit po nga Partia Demokratike, për t’ju rikthyer sërish KQZ-së kësaj here në postin e kryetarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›