Raporti i OKB fajëson autoritetet për vrasjen e Butos (VIDEO)
Nju Jork, 17 Prill - Në një raport të ashpër
të Kombeve të Bashkuara, komisioni ka nxjerrë përfundimin se autoritetet e
Pakistanit kanë dështuar në të gjitha nivelet për të mbrojtur kryeministren
Benazir Buto, e cila u vra më 27 dhjetor të 2007-ës, në qytetin Ravalpindi të Pakistanit.
Raporti prej 65 faqesh, i lëshuar më 15 prill, thotë se dështimi i policisë
për një hetim të efektshëm të vrasjes së Butos, ishte i qëllimshëm.
Diplomati kilian, Heraldo Munoz, që drejton dhe komisionin, tha se vdekja e
Butos nga një sulm vetëvrasës me bombë, mund të ishte parandaluar.
Përgjegjësia për sigurinë e zonjës Buto, ditën e vrasjes, i takon qeverisë
federale, qeverisë së Punjabit dhe policisë së qarkut të Ravalpindit.
Asnjëri nga këto subjekte nuk mori masat e nevojshme për tiu përgjigjur
rreziqeve të jashtëzakonshme dhe urgjente, me të cilat ata e dinin se ajo po
përballej, tha Munoz.
Raporti kritikon mosveprimin e institucioneve pakistaneze, duke theksuar se
mosveprimi bëhet edhe më i rëndë kur kihet parasysh sulmi ndaj Butos në Karaçi,
menjëherë pas kthimit të saj nga Londra.
Qeveria federale, nën gjeneralin Musharaf, megjithëse e vetëdijshme për
kërcënimin serioz të sigurisë së zonjës Buto, ka bërë pak për ta mbrojtur atë
nga këto kërcënime dhe autoritetet lokale nuk ishin aktive në neutralizimin e
tyre. Qeveria federale dështoi në përgjegjësinë e saj kryesore për të siguruar
mbrojtje efektive të Butos, gjatë kthimit të saj në Pakistan, tha Munoz.
swfobject.embedSWF('http://www.youtube.com/v/5XOXxGWj87U','avreloaded0','300','240','9.0.28','/plugins/content/avreloaded/expressinstall.swf',
false,{wmode:'opaque',bgcolor:'#FFFFFF'},{id:'p_avreloaded0',styleclass:'allvideos'});
Raporti gjithashtu është kritik ndaj hetimeve
të bëra nga autoritetet e Pakistanit rreth vrasjes së Butos.
Askush nuk beson, thotë raporti, që 15-vjeçari, i cili hodhi veten në erë
afër makinës së Butos, vepronte vetëm.
Sipas raportit, Buto përballej me kërcënime të shumta, nga Al Kaeda, talibanët,
grupet lokale të Xhihadit, pra elemente potenciale të krijuara në Pakistan.
Munoz tha se hetimi është dëmtuar ashpër nga agjencia pakistaneze e zbulimit
dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.
Një numër zyrtarësh të qeverisë dështuan krejtësisht në përpjekjen e parë të
tyre për të mbrojtur zonjën Buto dhe, herën e dytë, për ti hetuar me forcë të
gjithë ata që janë përgjegjës për vrasjen e saj, jo vetëm në ekzekutimin e
sulmit, por edhe në idenë e sulmit, planifikimit dhe financimit të tij, tha
Munoz.
Radio Evropa e Lirë raporton se Komisioni vizitoi Pakistanin tri herë rresht,
duke kryer më shumë se 250 intervista me qytetarë dhe zyrtarë brenda dhe jashtë
Pakistanit si dhe duke rishikuar qindra dokumente video, fotografi dhe
materiale të tjera filmike.
Por, disa zyrtarë të lartë të Pakistanit që kishin detaje rreth vrasjes, nuk u
vunë në dispozicion të komisionit.
Komisioni u takua edhe me zyrtarë të lartë nga Afganistani, Emiratet e
Bashkuara Arabe, Britania e Madhe dhe SHBA-të, që kishin disa detaje rreth
vrasjes së Butos.