Raporti i OKB-së: Ballkani është bërë një nga rajonet më të sigurta të Evropës
Në një raport të fundit të Kombeve të Bashkuara thuhet se Ballkani është bërë një nga rajonet më të sigurta të Evropës.
Raporti u publikua të enjten nga zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin. Kjo zyrë arrin në përfundimin se përqindja e vrasjeve, përdhunimeve dhe plaçkitjeve është më e ulët sesa në Evropën Perëndimore.
Zyrtari i OKB-së Antonio Maria Kosta përmend atë që ai e quan "qarkun vicioz të paqendrueshmërisë politike"si arsyen që shkaktoi krim dhe trazizra gjatë dekadës së fundit. Por ai shtoi se kjo prirje e krijuar gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, është ndërprerë.
Në raport thuhet megjithatë se lidhjet mes biznesit, politikës dhe krimit në rajon vazhdojnë të ekzistojnë. Por shtohet se krimi i organizuar po bie dhe nuk është më një rrezik madhor.
Në raport thuhet se përqindja e vrasjeve në Ballkan ra afro 50 për qind nga viti 1998 deri në vitin 2006. Po ashtu thuhet se Evropa Perëndimore ka një përqindje dy herë më të lartë për vjedhjet dhe përqindja e plaçkitjeve të armatosura është 15 herë më e lartë atje krahasuar me Evropën juglindore.
Po ashtu thuhet se edhe kontrabanda e drogës dhe tregëtia e paligjshme e armëve po bien. //bsa//