Raporti i OSBE-ODIHR-it, Basha: Konfirmoi që 25 prilli ishte masakër zgjedhore!

Një ditë pas publikimit të raportit përfundimtar për zgjedhjet paralamentare të 25 prillit i OSBE-ODIHR-it, Lulzim Basha kreu i PD tashmë për të tretin mandat në opozitë, tha se raporti konfirmoi akuzat e demokratëve se 25 prilli ishte një “masakër zgjedhore” dhe se nuk kishte lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira.
“Raporti konfirmoi që 25 prilli nuk kishte asnjë lidhej me demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme. Konfirmon se 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Këtë e kemi thënë që prej ditës së parë dhe e kanë parë me syt e tyre shqiptarët që kërkonin ndryshimin” tha zoti Basha në një dale publike. “Këtë e di e gjithë bota demokratike sepse ky raport, për fat të keq, është vula e turpit mbi vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit” shtoi ai.
Kreu i PD Lulzim Basha tha se ka konfirmuar atë çka thënë opozita për “Blerje votash, shkrirja në një e qeverisë dhe partisë, abuzimi, me pushtetin dhe funksionet publike, rritje fiktive të punësimit në administratë për qëllime elektorale, presion administratës për të votiuar partinë në pushtet, përdorimi i fondeve të rindërtimit për të përfituar”.
“Para dhe pas 25 prillit, PD ka denoncuar krimet zgjedhore, 185 padi janë depozituar në SPAK dhe prokuroritë e rretheve, por asnjë nga krimet elektorale nuk është ndëshkuar deri në këtë moment. Nuk po fërkojmë duar nga gëzimi se na doli fjala që ky regjim i ka shpallur luftë demokracisë. Më 25 prill nuk u dëmtua PD, por shqiptarët që kërkonin ndryshimin dhe morën një goditje të rëndë. Është detyrë e drejtësisë, e SPAK të ndjekë me përparësi këto dosje dhe të ndalë këto pinponge”, tha zoti Basha.
Në konteksin e zhvillimeve të fundit kreu i PD ka shprehur shqetësimin në lidhje me lirimin e Astrit Avdylit, “Niçja i Shijakut”.
“Në të njëjtin ditë kur kërkohet hetimi i krimeve zgjedhore lirohen protagonistët e dosjes së Shijakut. Raporti i OSBE konfirmoi se 25 prilli nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët,as për ata që votuan opozitën as për ata që votuan partinë në pushtet. Pyetja që shtrohet është kush do ta ofrojë arsimin më të mirë, rendin dhe sigurinë, shansin për një jetë më të mirë? Këta që shantazhuan punonjësit e administratës, këta që përdorën krimin për votat, këta që ia falën pasuritë e vendit një grushti oligarkësh për të marrë në këmbim para për një grusht votash?”.
“Detyra jonë, detyra e PD-së është që të bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të vetëdijshëm që koha na ka dhënë të drejtë për të gjitha pretendimet tona”, tha kreu i PD Lulzim Basha.