“Raporti i Stabilitetit Financiar, për 6-mujorin e dytë 2024”, BSH: Ekonomia shqiptare u rrit me 4,1%

Banka e Shqipërisë publikoi të enjten sot “Raportin e Stabilitetit Financiar, për 6-mujorin e dytë 2024”, sipas të cilit, ekonomia shqiptare u rrit me 4,1% deri në fund të tremujorit të tretë të vitit.
Sipas BSH-së, kjo rritje ka pasur një bazë të gjerë sipas sektorëve dhe është mbështetur kryesisht nga ecuria e mirë e konsumit dhe e investimeve, si dhe performanca e fortë e sektorit të turizmit.
“Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale ruajti një prirje konsoliduese gjatë pjesës më të madhe të vitit, në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Ndërsa presionet inflacioniste erdhën në rënie, ndaj Banka e Shqipërisë lehtësoi politikën e saj monetare”, thuhet në njoftimin për shtyp të BSH, mbështetur në “Raportin e Stabilitetit Financiar, për 6-mujorin e dytë 2024”.
Sipas BSH, edhe veprimtaria financiare u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme.
“Depozitat dhe kreditë u zgjeruan pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit, kapitalizimi i veprimtarisë mbeti në nivele të mira, ndërsa fitimi i bankave u përmirësua në mënyrë të ndjeshme”, thekson BSH.
Banka e Shqipërisë nënvizon edhe rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend, të cilat, sipas saj, “mbeten të pranishme dhe lidhen kryesisht me pasigurinë dhe ndikimin që përcjellin zhvillimet ndërkombëtare.”
“Në këto kushte, mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike dhe financiare të autoriteteve publike dhe veprimet e pjesëmarrësve të tregjeve, të synojnë ruajtjen e rezervave financiare që mbështesin mirëfunksionimin e veprimtarisë së tyre”, thuhet në raportin e BSH.
/rtsh.al/