Raporti i TI, PD konfirmon denoncimet për korrupsionin qeveritar

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se, “raporti i Transparency International konfirmoi se korrupsioni është rritur si rezultat i vullnetit politik të Ramës, që ka shkatërruar ekonominë, ka rritur kostot e jetesës dhe na mban peng tek oligarkët dhe larg BE”.
“Këto 7 vjet, shqiptarët e kanë ndjerë në lëkurë dështimin e qeverisjes së Edi Ramës. Një nga dështimet më të mëdha të tij lidhet me korrupsionin. Ky virus ka prekur çdo qelizë të qeverisë, çdo ind të pushtetit, që nga dita e parë në pushtet. Korrupsioni qeveritar, shkaktar për rrënimin e përditshëm të ekonomisë së çdo familje shqiptare, ka marrë përmasa shqetësuese ndërkombëtare”, tha ajo.
“Organizata e specializuar për këtë çështje, Transparency International ngre alarmin se gjatë qeverisjes së Edi Ramës në këto 7 vjet është ngritur një sistem korruptiv, që mund të konsiderohet si kapje e shtetit. Transparency International tregon se korrupsioni ëshët rritur si rezultat i vullnetit politik të Ramës, që ka shkatërruar ekonominë, ka rritur kostot e jetesës dhe na mban peng tek oligarkët dhe larg Bashkimit Europian”, shtoi Tabaku.
Sipas saj në raport, “dy janë elementet kryesore për Shqipërinë: mosndëshkimi për korrupsionin e nivelit të lartë dhe ligjet e bëra sipas dëshirës. Ligjet preferenciale si ai i Korporatës së Investimeve, ligji special për teatrin, ligjet që ulin taksa për sektorë si minierat, ndërkohë rrisin taksat për 97% të bizneseve janë qartazi shembuj të kapjes së shtetit”.
Ndërsa ish-deputeti i PD Enkelejd Alibeaj tha se “raporti i Transparency International ka hedhur dritë edhe mbi anën më të errët të qeverisë së Edi Ramës – lidhjet e tij me krimin për të mbajtur pushtetin dhe për ta përdorur atë kundër qytetarëve”.
“Në 7 vjet, Edi Rama nuk ka punuar për qytetarët. Ka punuar për veten dhe për organizata kriminale, të cilat e kanë ndihmuar të blejë vota, ndërsa qeveria e Edi Ramës u ka lehtësuar, fjala vjen, trafikun ndërkombëtar të drogës”, tha Alibeaj.
“Raporti i Transprency International konfirmoi pikë për pikë gjithçka Partia Demokratike ka denoncuar gjatë këtyre viteve në opozitë”, theksoi ai