Raporti i progresit nga KE: Mediat janë nën trysni
Raporti i progresit të Shqipërisë, publikuar pak ditë më parë nga Komisioni Europian, vinte theksin te fakti se media ndodhet nën presionin e politikës dhe të interesave të caktuara të biznesit. Në raport thuhej se gazetaria investigative ka kontribuar në raportimin e praktikave korruptive. Komisioni Europian konstatonte gjithsesi zbatimin e disa masave të ushtrimit të presionit nga ekzekutivi. "Disa media u nxorën nga zyrat e tyre prej qeverisë. Biznesi dhe interesat politike vazhdojnë të kenë ndikim në media në aspektin e pavarësisë editoriale dhe kapaciteteve profesionale. KE-ja konstatonte se mbulimi medial i fushatës zgjedhore ishte shpesh paragjykues. Një kritikë e madhe i kushtohet Televizionit Publik Shqiptar, që nuk garanton kohë transmetimi të barabartë për kampet politike. Duke iu referuar Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve, Komisioni Europian konstatonte se ai ka favorizuar mediat e lidhura me qeverinë. KE-ja vlerësonte se reforma e transmetuesit publik është e bllokuar teksa ka një ndikim të vazhdueshëm të qeverisë.