E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqyrtohet ankimimi për mbivendosjet

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nisën dje shqyrtimin e kërkesës së Avokatit të Popullit për të shpallur si antikushtetues ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Përfaqësuesit juridikë të institucionit të Avokatit të Popullit, ndërmorën nismën e tyre ligjore, pas denoncimit të fshirjes së regjistrimit të pronësisë së një sipërfaqe të konsiderueshme toke, në pronësi të një kompanie ndërtimi, në Gjirin e Lalzit. Ata pretenduan se ndryshimet ligjore që i japin të drejtë kryeregjistruesit të Shqipërisë të fshijë pronën në rast se konstaton mbivendosje të saj, është shkelje e Kushtetutës, ndërhyrje në pushtetin gjyqësor, pasi administrata shtetërore merr atributet e pushtetit gjyqësor, ndërsa pronarit i cenohen të drejtat mbi pronën.

Ndërsa përfaqësues të qeverisë kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të mos legjitimojë institucionin e Avokatit të Popullit si palë në proces, pasi nuk mund t‘i drejtohet gjykatës për të mbrojtur interesat e një subjekti privat. Sipas tyre, ndryshimet ligjore në këtë ligj ndihmojnë në zhdukjen e fenomenit të mbivendosjes së pronave dhe garantojnë të drejtën e pronarit të ligjshëm të gëzojë pronën e tij. Duke hedhur poshtë pretendimet se ndryshimet ligjore i japin administratës kompetencat e gjyqësorit, ata u shprehën se askush nuk e pengon të drejtën e palëve për t‘iu drejtuar gjykatës në zgjidhjen e pretendimeve të tyre. Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, pritet të dalë me vendim në ditët në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›