Ngrihet Këshilli i Qarkut, Basha: Bashkëpunim, pavarësisht ngjyrave politike
Kreu i Bashkisë së Tiranës thirri mbledhjen e parë të Këshillit të Qarkut të Tiranës, ku u zgjodhën strukturat e reja drejtuese. Basha: Bashkëpunim, pavarësisht ngjyrave politike
Zgjidhen strukturat e reja drejtuese për Këshillin e Qarkut Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, thirri dje mbledhjen e parë të Këshillit të Qarkut të Tiranës, ku u zgjodh kryetari i ri i Qarkut, kryesia e re, dhe ku u bisedua për bashkëpunimin e të zgjedhurve vendorë të qarkut të kryeqytetit në shërbim të qytetarëve. Në këtë mbledhje u votua dhe zgjodh kryetari i Qarkut të Tiranës, që do të jetë përsëri kandidati i mazhorancës, Tasim Mema. Nënkryetar u zgjodh Korab Lita, si dhe kryesia e qarkut që do të përbëhet nga nëntë anëtarë, ku përfaqësohen koalicionet “Aleanca për të Ardhmen” dhe “Aleanca për Qytetarin”. Kreu i Këshillit të Qarkut, Tasim Mema, që u propozua si kandidaturë nga kryebashkiaku mori 73 vota pro, 3 abstenim dhe 1 kundër, ndërsa nënkryetari Korab Lita u zgjodh me 65 vota pro, dhe 2 abstenim. Ndërkaq, ishte unike që në Kryesinë e Këshillit të Qarkut u zgjodhën përfaqësues nga dy koalicionet e mëdha politike, “Aleanca për Qytetarin” dhe “Aleanca për të Ardhmen”. Kështu, Kryesia u zgjodh me 64 vota pro dhe 2 kundër, ndërkohë që anëtarët e saj do të jenë: Ferdinand Poni, Shezai Rrokaj, Xhelal Mziu, Fiqiri Ismaili, Enver Reçi, Fatbardh Plaku, Ndriçim Dushku, Lulzim Basha dhe Njazi Kosovrastri. Në total, Këshilli i Qarkut Tiranë numëron 84 anëtarë, që i përkasin Bashksië së Tiranës, dhe komunave të saj, Bashkisë së Kamzës, Bashkisë së Kavajës me komunat përkatëse, por në mbledhjen e djeshme kanë qenë të pranishëm 77 prej tyre. Mbledhja e parë e Këshillit të Qarkut të Tiranës u drejtua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili kërkoi bashkëpunimin e përfaqësuesve të Këshillit të Qarkut, për të siguruar atë që meritojnë banorët e qarkut më të rëndësishëm të Shqipërisë. “Unë ju siguroj për angazhimin tim të plotë dhe kërkoj angazhimin tuaj për një bashkëpunim sa më të frytshëm gjatë kësaj mbledhjeje, në shërbim të interesave të qytetarëve të qarkut tonë, të cilët na kanë zgjedhur mbi të gjitha jo për ngjyrat politike që përfaqësojmë ose që përfaqësuam gjatë fushatës, por për një shërbim sa më të mirë sa më të shpejtë, efikas, dinjitoz ndaj interesave të tyre të përditshme, por dhe interesave të tyre afatgjata”, - u shpreh kreu i Bashkisë. Sipas kryebashkiakut, vetëm duke punuar së bashku mund të çohen përpara projektet ambicioze për Tiranën, siç janë: Tirana e madhe, një koncept ky që ngërthen në vetvete shtrirjen e bulevardeve të zhvillimit ekonomik, shoqëror, turistik, mjedisor, por dhe bulevardeve fizike, infrastrukturës së re, transportit publik me mjete moderne.
Përbërja e Këshillit të Qarkut
Kryetari, Tasim Mema
Nënkryetari, Korab Lita
Anëtarët e kryesisë
Ferdinand Poni
Shezai Rrokaj
Xhelal Mziu
Fiqiri Ismaili
Enver Reçi
Fatbardh Plaku
Ndriçim Dushku
Lulzim Basha
Njazi Kosovrastri