E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin regjistrimet për konkursin e Magjistraturës

Kriteret dhe dokumentet që duhet të dorëzohen deri më 10 shtator

Laureta Rryçi

Nis konkursi për Shkollën e Magjistraturës. Drejtuesit e këtij institucioni dje kanë shpallur zyrtarisht nisjen e regjistrimit për të qenë pjesë e konkursit të radhës. Burime zyrtare pranë Shkollës së Magjistraturës pohuan se përveç kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët, është përcaktuar dhe rregullorja që duhet të ndiqet në mënyrë që të mos s’kualifikohen gjatë provimit. Të gjithë të interesuarit e diplomuar për Drejtësi në Shqipëri, ose që kanë mbaruar jashtë dhe kanë ekuivalentuar diplomën e Drejtësisë në Shqipëri dhe që janë interesuar për të vazhduar Shkollën e Magjistraturës, të tërheqin programin e ri të provimit të pranimit në këtë shkollë. Sipas rregullores, mënyra e korrigjimit të provimit do të jetë anonime. Në konkurs kandidati duhet të ketë me vetë vetëm dokumentin e identifikimit. Materialet për zhvillimin e konkursit do të jepen nga shkolla.
Provimi
Fletët e përgjigjes së provimit do të jenë të gjitha të vulosura. Të gjithë kandidatëve do t’u shpërndahet një zarf i vogël, i cili brenda ka një letër ku do të shkruhet emri i kandidatit që konkurron. Emri nuk do të shkruhet në asnjë nga fletët e provimit. Më pas zarfi do të mbyllet e do të vuloset. Në fund të provimit zarfi i vogël, së bashku me fletët e provimit (që do të jenë të futura në një zarf të madh, i cili dhe ky do të vuloset), do të dorëzohen në një vend të caktuar.
2. Pas dorëzimit të fletëve të provimit Drejtoria e Shkollës së Magjistraturës do të vendosë numrin si në zarfin e vogël, ashtu dhe në zarfin e madh të çdo kandidati. Komisionit të provimit do t’i vihet në dispozicion vetëm zarfi i madh, me numrin përkatës, i cili përmban fletët e provimit.
Korrigjimi
Korrigjimi i provimit me shkrim do të bëhet në një sallë të mbyllur (ambient zyrtar) brenda godinës së Shkollës së Magjistraturës. Gjithashtu, asnjë anëtar i komisionit të korrigjimit nuk lejohet që të marrë me vetë fletët e provimit.
Për çdo kërkesë kandidati duhet të kërkojë leje nga administratori i konkursit. Gjatë provimit, e gjithë salla do të jetë nën mbikëqyrjen e një grupi individësh të pavarur.
Skualifikimi
Studentët nuk duhet të flasin ose të japin e të marrin asistencë nga njëri – tjetri apo nga të tjerë gjatë provimit, për asnjë lloj arsyeje. Në qoftë se një gjë e tillë ndodh, atëherë administratori i provimit (drejtoria) vendos menjëherë përjashtimin e studentëve nga salla e provimit, si dhe deklarimin e provimit të tyre të pavlefshëm. Në qoftë se një student merr ndihmë nga dikush, të dy palët do të skualifikohen në bazë të rregullit II. Monitorët do të jenë persona jo të përfshirë në sistemin gjyqësor shqiptar dhe jo me profesion juristë apo pedagogë të Shkollës së Magjistraturës. Ata do të jenë përfaqësues shqiptarë dhe të huaj nga organizata me të cilat Shkolla e Magjistraturës ka pasur dhe ka marrëdhënie bashkëpunimi. Në qoftë se monitorët do të venë re shkelje, sado të vogla, të rregullave të provimit, ata do t’u kërkojnë studentëve që të lënë sallën menjëherë, si dhe do të njoftojnë administratorin e provimit.
Rregullat
Gjatë provimit, studentët nuk lejohen të shënojnë ose të lënë emrin apo shenja sado të vogla në fletët e provimit, (nënkuptohen shprehje ose citime që e bëjnë fletën e provimit të identifikueshme). Në rast të një korrigjimi, fjala ose shprehja do të futet në kllapa, do t’i kalohet një vijë sipër sipas këtij modeli: (gabim).
Aplikimi: Në rast se konstatohen shenja të ndryshme në fletët e provimit, ato do të shpallen të pavlefshme dhe kandidati humb të drejtën për të konkurruar. Në përfundim të provimit të gjitha fletët do të vendosen në një kuti të vulosur. Gjithashtu edhe zarfet e vogla do të jenë të futura në një kuti të vulosur. Kutitë e vulosura do të ruhen pranë zyrave të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kutia me fletët e provimit do të hapet vetëm në ditët e korrigjimit, në prezencë të komisionit të korrigjimit. Gjithashtu, zarfi i madh me zarfet me numrat korrespondues do të hapet në prani të komisionit të korrigjimit. Pasi të shpallen rezultatet në bazë të numrave të sekretimit, hapja e zarfeve të vogla me emrat do të behet në prani të konkurruesve në ambientet e Shkollës se Magjistraturës.
Nëse pas marrjes së rezultateve ka rezerva për rezultatin, kandidati ka të drejtë të verifikojë përgjigjet e veta. Kur konstaton pasaktësi matematikore ose të ndonjë lloji tjetër me karakter procedural, kandidati paraqet vërejtjet me shkrim brenda tri ditëve nga shpallja e rezultateve. Nuk ka seancë ballafaqimi direkt me jurinë e vlerësimit.

Provimi me shkrim

Provimi me shkrim zhvillohet në një ditë për të dyja profilet (gjyqtar dhe prokuror). Në pjesën e parë zhvillohet teza e formimit të përgjithshëm intelektual, e cila përmban: Testin e inteligjencës dhe një ese, ndërsa në pjesën e dytë zhvillohet një test profesional, i cili përmban pjesën teorike nga fushat e së drejtës, të parashikuara në programin e provimit të pranimit dhe pjesën praktike me dy raste nga praktika gjyqësore.

Vlerësimi

Teza e provimit vlerësohet maksimalisht me 450 pikë.
Me 100 pikë vlerësohet teza e provimit të formimit të përgjithshëm intelektual, nga të cilat me 50 pikë vlerësohet testi i inteligjencës dhe me 50 pikë vlerësohet eseja.
Me 350 pikë vlerësohet testi profesional, nga të cilat; me 250 pikë vlerësohet pjesa teorike, që ndahet; 50 pikë për pjesën teorike të së drejtës civile, të së drejtës penale, procedurës civile dhe procedurës penale dhe me 50 pikë vlerësohet pjesa teorike e degëve të tjera të së drejtës, si; e drejta kushtetuese, e drejta administrative. Pjesa e rasteve praktike vlerësohet me 100 pikë, nga 50 pikë për secilin rast praktik. Ndalohet përdorimi dhe mbajtja e telefonave celularë si dhe e pajisjeve të tjera. Kjo rregullore është e miratuar nga Këshilli Drejtues i Shkollës dhe çdo shkelje e saj si nga ana e kandidatëve pjesëmarrës në provim, ashtu edhe nga stafi i përfshirë në këtë proces sjell pasoja për të dyja palët.

Kandidati duhet të plotësojë këto kritere:
Të jetë diplomuar për Drejtësi në Shqipëri ose jashtë vendit.
Të ketë notë mesatare të përgjithshme 8 e lartë.
Të mos jetë i dënuar.

Kandidati duhet të paraqesë për regjistrim këto dokumente:
Kërkesën që dëshiron të vazhdojë Shkollën e Magjistraturës.
Dokumentin e ekuivalentimit të diplomës në rast se ka mbaruar studimet jashtë.
Fotokopje e noterizuar e diplomës dhe certifikatës së notave.
Rekomandim zyrtar nga vendi i punës ku ka punuar (në rast se ka punuar).
Dëshmi penaliteti.
Raport mjeko-ligjor.
Certifikatë personale me fotografi dhe një certifikatë familjare.
Të dhëna personale (CV).

Tarifa e regjistrimit është 5000 lekë.
Tërheqja e programit të ri dhe dorëzimi i dokumenteve të regjistrimit bëhet pranë Sekretarisë Mësimore të Shkollës në periudhën 20 gusht-10 shtator 2008.

Republika e Shqipërisë
Shkolla e Magjistraturës
Deklaratë për provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës

Ditën _______ Shtator _______, ora _______, a.m

1. Kohëzgjatja e provimit: ________
2. Shkruani vetëm në njërën anë të fletës.
3. Filloni çdo pyetje në një fletë të veçantë.
4. Ju lutemi, pasi të keni lexuar pikën 1, 2 dhe 3, deklaratën si dhe procedurën e provimit, nënshkruajeni dhe dorëzoni fletën para se të largoheni.
Emri Mbiemri __________________
(me shkronja kapitale)
Deklaratë: “Deklaroj se i kam lexuar rregullat e provimit, i kuptoj plotësisht ato dhe nuk kam dhënë apo marrë ndihmë gjatë provimit”.
FIRMA______________________

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›