Raportimet e institucioneve të drejtësisë, vijojnë debatet në Kuvend

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Kuvendi po vijon prej orës 10:00 të mëngjesit të së hënës diskutimet në seancë plenare, ku palët po debatojnë mbi institucionet e drejtësisë, krerët e të cilave raportuan mbi veprimtarinë e punës për vitin 2023.
Opozita hodhi akuza mbi kreun e SPAK-ut, Altin Dumani për raporte të Prokurorisë së Posaçme me politikën, akuza të cilat u hodhën poshtë nga Dumani.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme bëri të ditur edhe se me plotësimin e organikës se do të hapen zyra të SPAK-ut në rrethe, ku do të punojnë oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe jo prokurorë.
Njëkohësisht debate kishte edhe sa i përket hartës gjyqësore, që sipas opozitës krijoi ngarkesa për gjyqtarët ovnesa në trajtimine çështjeve si dhe largoi qytetarin nga shërbimi.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla i kërkoi KLGJ-së, një fokus të veçantë kur bëhet fjalë për dhunën në familje, ndërsa fjalimet e deputetëve të opozitës i cilësoi si pyetje të porositura nga “ballkonet”. Teksa vendi është përfshirë nga vatra zjari në zona të ndryshme, të favorizuara nga temperaturat e larta, Balla kërkoi dënime të ashpra për zjarrëvënësit.
Nga ana e tij, kreu i komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend, deklaroi se drejtësia penale nuk mund të jetë kurrësesi çështje numrash dhe as garë statistikash brenda sistemit. Edhe sepse, tha ai, çështjet penale janë tejet komplekse profesionalisht, por edhe delikate sepse kanë të bëjnë në thelb me lirit dhe të drejtat themelore të njeriut.
Opozita vijoi të kërkojë lirimin e kryetarit të PD-së, Sali Berisha me argumentin se ska asnjë provë apo fakt për mbajtjen e tij në arrest shtëpie, duke e cilësuar si politik procesin.
Ndërsa qëndrimet e opozitës ndaj indtitucioneve të drejtësisë, kreu i Komisionit Antikorrupsion i cilësoi si presion politik.
Ai i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë dhe të bashkëpunojë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion.
“Opozita ende heziton të bëhet pjesë e këtij procesi dhe në vend të bashkëpunimit dhe përfshirjes me kontribute konkrete në këtë proces, ka zgjedhur paragjykimin mbi procesin dhe agresivitetin mbi vet sistemin e drejtësisë”, deklaroi Xhafaj.