Raportimi i shkeljeve tatimore, rreth 900 shkarkime të aplikacionit “Denonco Evazionin”

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Rreth 900 persona kanë shkarkuar aplikacionin “Denonco Evazionin”, përmes të cilit qytetarët mund të raportojnë direkt nga telefoni shkelje të ndryshme tatimore.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, aplikacioni u mundëson qytetarëve të raportojnë raste të moslëshimit të kuponit tatimor, punonjësve të padeklaruar, refuzimit të pagesës me kartë apo çmimeve të paafishuara.
Administrata Tatimore thekson se raportimet e qytetarëve ndihmojnë në evidentimin e shkeljeve dhe kontribuojnë në rritjen e transparencës, besueshmërisë dhe formalizimit të aktivitetit ekonomik.
Aplikacioni “Denonco Evazionin” është i disponueshëm për shkarkim në sistemet iOS dhe Android.
e.xh/j.p/