E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rast unik

Një grup punues i FIFA-s është duke u munduar t’u ndihmojë shteteve të vogla dhe territoreve që nuk janë pjesë e Federatës Botërore të Futbollit, plan që rrezikon të shkaktojë zemërim në mesin e anëtarëve të tjerë potencialë, prej tyre edhe Kosova, shkruante ueb faqja playthegame.org të enjten.

Geoff Thompson, ish president i Federatës së Futbollit të Anglisë (FA), dhe një nënkryetar aktual i FIFA-s udhëheqin një grup punues që merret me çështjet të cilat preokupojnë shtetet e vogla dhe territoret e papranuara ndërkombëtarisht. Thompson dhe Urs Kluser, drejtor i asociacioneve anëtare dhe zhvillimit në FIFA, kanë vizituar shtetin e vogël Tuvalu në Ishullin Paqësor dhe Sant Maarten – territor i administruar nga holandezët që mbulon gjysmën e Ishujve të Karaibeve në Saint Marten. Programi i tyre i udhëtimeve përfundoi me vizitën në ishullin Jersey, territor i Mbretërisë së Bashkuar.

“Qëllimi kryesor i vizitës tonë (në Jersey) ishte për të kuptuar organizimin e futbollit brenda këtij ishulli, të përcjellim gjendjen dhe zhvillimin e futbollit”, shpjegoi FIFA, që konfirmoi se vetëm këto tri vende kanë qenë në agjendën e Thompsonit që nuk planifikon vizita të tjera.

Tuvalu, që ka popullsi prej mbi 12 mijë banorëve, mori pjesë në kualifikime për Kampionatin botëror 2010, edhe pse nuk është anëtar i plotë i Konfederatës së Futbollit të Oqeanisë (OFC), aq më tepër e FIFA-s.

Një rast i tillë nuk ndodh me Kosovën, që nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara ose e FIFA-s. FIFA tashmë është duke punuar në parandalimin e transferimeve ilegale të futbollistëve kosovarë që i ka mohuar klubeve të përfitojnë nga shitja e tyre, por ka insistuar se cilido anëtar i ri duhet të pranohet së pari nga konfederata regjionale.

Ndërsa UEFA insiston se të gjithë anëtarët e rinj duhet të njihen nga Kombet e Bashkuara, që parandalon pranimin e Gjibraltarit, gjë që mund të zgjojë reagim nga Spanja. Ky rregull e përjashton edhe Kosovën, pavarësia e së cilës kundërshtohet nga Serbia dhe presidenti i UEFA-s, Michel Platini, u ka premtuar serbëve se do të respektojë vendimin e Kombeve të Bashkuara.

Në anën tjetër, drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nuk janë të zemëruar me faktin që ky grup punues i FIFA-s nuk e ka në agjendën e tij një vizitë për t’ia bërë Kosovës.

Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se ai me kolegët e tij vazhdimisht janë në kontakte me drejtuesit e FIFA-s, andaj, sipas tij, Kosova veç është në agjendë të shtëpisë së futbollit botëror.

“Ne veç jem në agjendë të FIFA-s sepse kemi aplikuar zyrtarisht për pranim dhe përgjigjen e kemi marr se nuk ju kanë njohur numër i mjaftueshëm i shteteve. Por, nga zyrtarët e FIFA-s kemi kuptuar se shumë është i rëndësishëm vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare që do ta nxjerrë për Kosovën”, deklaroi Salihu për Express.

“Ne veç jemi takuar me njeriun numër një të FIFA-s. Nuk është lehtë me qenë në kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e FIFA-s. FFK-ja është në kontakte të vazhdueshme. Drejtuesit e FFK-së janë takuar me kryetarin e FIFA-s, sekretari gjeneral, këshilltarët ligjorë dhe nënkryetarin i UEFA-s, të cilët u patën caktuar enkas për atë takim”, theksoi ai.

Salihu thotë se inkuadrimi i futbollit kosovar në FIFA duhet të shkojë hap pas hapi, sepse Kosova është rast unik në botë.
“Duke ditur se çfarë pengese juridike qëndron në statusin e UEFA-s, FIFA po tenton që me gjet zgjidhje për Kosovën në mënyrë hap pas hapi. Ka vullnet, por rasti i Kosovës është unik dhe nuk ka rast tjetër të njëjtë në botë dhe kështu po trajtohet. Tani i presim hapat e parë. Deri më 20 maj pritet të vendoset rreth certifikatave ndërkombëtare për futbollistë. Dhe hap pas hapi do të kërkojmë të inkuadrohemi si klube dhe si përfaqësuese”, përfundoi Salihu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›