Pezullimi i bisedimeve me BE, vijojnë protestat e dhunshme në Gjeorgji

Vijojnë për të katërtën ditë radhazi demonstratat në rrugët e Gjeorgjisë dhe një varg dorëheqjesh publike, të shkaktuara nga vendimi i partisë në pushtet për të pezulluar bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ndërsa dhjetëra mijëra gjeorgjianë dolën në rrugët e disa qyteteve, kryeministri Irakli Kobakhidze tha se ata kishin rënë “viktimë e gënjeshtrave” të opozitës dhe kundërshtoi thirrjet për zgjedhje të reja.
Ai konfirmoi njoftimet se ambasadori i Gjeorgjisë në SHBA, Dejvid Zalkaliani, ishte bërë diplomati i fundit i lartë që u tërhoq, duke shtuar se ai kishte rënë nën presion të konsiderueshëm.
Lidhur me arsyen e protestave, ai tha: “ne nuk kemi pezulluar asgjë, është gënjeshtër”.
Vetëm tre ditë më parë, partia e tij Georgian Dream akuzoi BE-në për përdorimin e bisedimeve mbi bashkimin si “shantazh” dhe tha se qeveria kishte vendosur të mos e vinte këtë çështje në axhendë deri në fund të 2028.
Qeveria gjithnjë e më autoritare e Gjeorgjisë është akuzuar nga BE dhe SHBA për hapa pas në demokraci. Të shtunën, SHBA ndërmori hapin e rëndësishëm të pezullimit të partneritetit strategjik me Gjeorgjinë.
Disa ambasadorë kanë dhënë dorëheqjen dhe qindra nëpunës civilë dhe më shumë se 3.000 mësues kanë nënshkruar letra që dënojnë vendimin për të pezulluar bisedimet për pranimin në BE.
/rtsh.al/