Rasti i rezervave shtetërore – Hajdari thotë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale është politike

PRISHTINË, 14 nëntor/ATSH/ Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e ka quajtur politike ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale për rastin e rezervave shtetërore.
Ajo theksoi se provat e prokurorisë janë të paqëndrueshme, derisa përmendi nisjen e luftës në Ukrainë në vitin 2022 si arsyetim për rezervat, duke thënë se në tri raste ka dështuar procedura e prokurimit me operatorët ekonomik për sigurimin e rezervave shtetërore.
Hajdari tha se në vitin 2022 ishte jetike që të siguroheshin rezervat shtetërore pasi shumë shtete kishin ndaluar eksportin për shkak të luftës në Ukrainë. Sipas saj, kësisoj siguria kombëtare ishte në rrezik dhe duhej veprim i menjëhershëm i institucioneve.
Derisa u pyet nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pasur lidhje me sigurimin e rezervave shtetërore, ajo tha se ai nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt, përveç aprovimit të kërkesës së tyre në qeveri.
“Përvoja jonë e asaj kohe na tregoi se kur furnizimi global tronditet dhe çdo vonesë logjistike dhe kufizimi eksporti bëhet barrë reale për institucione që kanë për detyrë të mbajnë stabilitetin e tregut të brendshëm. Sigurimi i produkteve bazë përbën një shtyllë themelore të sigurisë shtetërore dhe këto produkte janë baza absolute për ushqimin e popullsisë… Pa furnizim stabil të këtyre produkteve bazë krijohet pasiguri sociale, panik, rritje të çmimeve dhe destabilizim ekonomik dhe politik. Për këtë arsye sigurimi i rezervave shtetërore të mallrave ishte jetik. Siguria kombëtare ishte në rrezik dhe duhej veprim i menjëhershëm i institucioneve tona. Në realitetin e asaj periudhe, MINT nuk ka mundur të sigurojë asnjë ofertë ndaj kërkesës për ofertë me furnizim me këto mallra bazike nga operatorët ekonomik, në mungesë të furnizimit të mjaftueshëm në tregun vendor. Shtetet tjera ndaluan eksportin e produkteve bazë të dhjetra operatorëve ekonomik”, tha ajo.
Sipas saj, pretendimet e prokurorisë në aktakuzën e ngritur janë të paqëndrueshme, derisa tha se edhe provat e mbledhura janë bërë në mënyrë të paligjshme dhe pa certifikatë sigurie.
Ajo theksoi se nuk ka zbuluar fshehtësinë shtetërore në rastin e rezervave shtetërore.
“Ky vendim ishte për dy arsye. Pasi në kohën e luftës ishte e rëndësishme të mbronim sigurinë tonë kombëtare të furnizimit me ushqim esencial dhe se një procedurë e tillë ishte e paraparë dhe lejuar me ligj… Çdo pretendim i prokurorisë që vendimi është i kundërligjshëm nuk qëndron. Vetëm afirmon tendencën politike të kësaj Prokurorie Speciale ndaj Qeverisë Kurti… Të gjitha të ashtuquajturat prova të Prokurorisë Speciale janë mbledhur jashtë ligjshmërisë përmes hetuesve që kanë zbatuar urdhrin e prokurorit Valdet Gashi, i cili i ka dërguar në MINT pa certifikatë sigurie. Dy policë hetues pa leje për qasje në këto dokumente të klasifikuara si sekret kanë marrë materialin duke u thirrur në autorizimin e prokurorit Valdet Gashi”, shtoi ajo.
Sipas ministres në detyrë, Rozeta Hajdari, një përqindje e një produkti bazë nuk ka arritur në sasinë e paguar, por kanë paditur kompaninë dhe se të gjitha mjetet e paguara për produktet që nuk kanë arritur në Kosovë do t’i kthehen buxhetit të shtetit.
I pyetur për përfshirjen e biznesmenit Ridvan Muharremi dhe komunikimin sipas aktakuzës në WhatsApp, ajo tha se të gjithë operatorët ekonomik kanë komunikuar dhe nënshkruar dokumente sipas udhëzimeve të AKI-së.Hajdari tha se nuk do të japë dorëheqje nga posti i ministres në detyrë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale. Prokuroria Speciale ka ngritur gjatë kësaj jave aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari, dy zyrtarëve të kësaj ministrie, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, si dhe ndaj afaristit Ridvan Muharremi për rastin e rezervave shtetërore./KosovaPress/