Zgjedhjet në Kosovë- Vlerësimi i votave të diasporës, KQZ aprovon 7 mijë pako, refuzon mbi 2500 të tjera

Vijon procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotimin me postë të diasporës së Kosovës, për zgjedhjet e raundit të dytë për kryetar komunash në 9 nëntor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri me dije për RTK-në, se procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 9,800 pako, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 7,240, ndërsa janë refuzuar rreth 2,570.
“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ. Më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave. Deri më tani, pjesa më e madhe e tyre janë sjellë në Kosovë”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ky i fundit sqaroi se në përfundim të këtij procesi do të bëhen publike edhe të dhënat mbi numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
/rtsh.al/