E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendet fqinje të Bashkimit Europian, mes rreziqeve që vijnë nga thellimi i reformave ekonomike

24-02-2012 / Nga Ilirian Dahri

Për hir të afërsisë gjeografike, të kulturave që shpeshherë kanë qene të gërshetuara  me njëra – tjetrën shumë prej turistëve italianë që vizitojnë Greqinë janë pritur me frazën “një fytyrë, një racë”. Shpeshherë edhe kriza e borxhit publik të dy shteteve analizohet hera – herës si diçka e përbashkët ashtu siç analizohet edhe kriza portugeze me atë spanjolle. Natyrisht vetë italianët kanë vënë në dukje se gjithsesi Italia nuk është Greqi. Gjithsesi problemet ekonomike të këtyre dy vendeve hera - herës janë shumë të ngjashme dhe ndonjëherë tjetër bëhen tejet të ndryshëm. Sidoqoftë nga njëra anë qeveria e Athinës ka një axhendë shumë intensive, mes angazhimesh me kreditorët, me një situatë sociale që nuk mund të thuhet se është nga më të mirat, me një vend që shpeshherë duket se po shkon drejt falimentimit dhe herën tjetër duket se po ja del mbanë. Nga ana tjetër presidenti i Këshillit të Ministrave Mario Monti është pritur shumë ngrohtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  madje ka qenë i vlerësuar nga vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Të njëjtën pritje të ngrohtë i kanë rezervuar Mario Monti – t edhe në parlamentin Europian në Strazburg ku fjala e tij është shoqëruar me duartrokitje të gjata. Natyrisht kjo nuk do të thotë se vendi fqinj i Italisë ka dalë prej krizës madje edhe vetë italianët janë të ndërgjegjshëm se rruga e tyre është ende e gjatë. Sidoqoftë në elementët politikë, në reformat por mbi të gjitha në ndërgjegjësimin e opinionit publik këto dy shtete ndryshojnë shumë prej njëri – tjetrit. Natyrisht edhe për vetë vendet e Bashkimit Europian duket se italianët janë më të ndërgjegjshëm, madje edhe forcat politike për reformat që duhet të bëjnë ndërsa në Greqi aksionet e qeverisë nuk kanë  patur një mbështetje të madhe në popull. Nisur pikërisht nga ky lloj mosbesimi ose thënë ndryshe nga ky implementim me rreziqe, Eurogrupi i ka shtyrë disa çëshje të Greqisë për javën tjetër. Por rreziku kryesor është vullneti i qeverisë greke i cili sipas Bashkimit Europian nuk është aty ku duhet. A do të mbahen premtimet e qeverisë greke në një moment që vendi fqninj është afër zgjedhjeve dhe për më tepër ka ende shumë dobësi ne administratën publike? E njëjta gjë ndodh edhe me Italinë vetëm se zgjedhjet politike në këtë vend janë ende larg. Sidoqoftë vazhdimësia e reformave përgjatë një tranzicioni zgjedhor është një problem i hasur shumë herë në menaxhimin e krizave të shkuara në vende të ndryshme të Europës dhe më gjërë. Në fakt zakonisht tregjet dhe bashkësia ndërkombëtare kërkojnë të jenë të sigurtë për mënyrën sesi do të shkojnë zgjedhjet por gjithsesi programet e parashikuara duhet të jenë të realizuar. E vërtetë që lëvdatat për Italinë nuk kanë munguar madje edhe nga zëdhënësi i Fondit monetar ndërkombëtar i cili më tej ka nënvizuar se: «Siç ndodh shpesh, kërkojmë garanci që politikat ekonomike që do të vazhdohen pas zgjedhjeve të qëndrojnë koherente me objektivat e programeve. Kjo nuk është vetëm për rastin e Greqisë, por një karakteristikë e përbashkët në shumë prej programeve tona». Ja pse në njëfarë mënyre është kërkuar një angazhim i firmosur  nga liderët e koalicionit grek. Ndoshta e njëjta situatë mund të ndodhë edhe në  Itali kur ky vend të jetë afër zgjedhjeve në pranverën e vitit 2013. Ndoshta dhe atëherë do të duhet që të gjitha partitë të firmosin  se do të mbështesin reformat e qeverisë Monti. Sepse pa një mobilizim të tillë  mund të ndodhë që tregjet të tronditen sërish. Sidoqoftë këto dy vende të Bashkimit Europian  ngjajnë shumë edhe për nga dobësia e administrative të tyre. Sipas analistëve ky është një çelës për zbatimin e reformave të votuara në parlament sepse pa një angazhim në terren, vit pas viti të gjitha funksionet publike madje edhe nismat më të mira të reformave humbasin efikasitetin e tyre. Gjithsesi Monti ka qenë i kënaqur me rezultatet e arritura për zgjidhjen e krizës greke. “Një rezultat i mirë për Greqinë dhe për Eurozonën. Të shpresojmë edhe për tregjet. Ishte një punë e gjatë, Europa është në gjendje të funksionojë” - kështu është shprehur në një  intervistë të tij preësidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë (në oren 05:00 pas një pune mjaft të gjatë që zgjati 12 orë). Edhe kryeministri grek Papadhimos është shprehur si  “shumë i kënaqur” për planin e ndihmave prej 237 miliadë eurosh. Sidoqoftë ky i fundit ka qenë i ndërgjegjshëm se vetë Greqia duhet të jetë në gjëndje për të zbatuar programin ekonomik. Sidoqoftë ka shtuar se: “Jam i bindur që qeveria që do zgjidhet pas zgjedhjeve të prillit do të angazhohet për të respektuar plotësisht programin, sepse ky është në interes të popullit grek”. I këtij mendimi ka qenë edhe presidenti i Bankës Qendrore Europiane, italiani Mario Dragi i cili e ka komentuar marrëveshjen e arritur në Eurogrup për ndihmën e re për Greqinë si “shumë të rëndësishme dhe se forcat kryesore politike të Greqisë duhet të njihen me këtë program duke respektuar angazhimin që kanë marrë”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›