E Diel, 1 Nëntor 2026

Raundi i dyte i bisedimeve Prishtine- Beograd Tahiri Takimi ishte konstruktiv

Përfundon raundi i dytë i dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel që është fokusuar sërish në zgjidhjen e problemeve të përditshmërisë së qytetarëve në të dyja vendet. Takimi mes delegacioneve ka qenë konstruktiv e sipas kryenegociatores së Prishtinës, Edita Tahiri palët kanë propozuar zgjidhje për problemet rreth këtyre çështjeve, por ende nuk janë arritur rezultate konkrete të pranueshme për të dyja delegacionet.

Në fokus ishin çështja e telekomunikacionit, energjisë dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve. Pala kosovare ka insistuar të ketë origjinalin i dokumentacionit kadastral, por mund të pajtohet me kopjen e regjistrit civil.

“Adresuam krijimin e kushteve për një lëvizje të lirë edhe të njërëzve, ideve, por dhe mallrave. Në fushën e rregjistrit civil mund të them se çështja ka gjetur zgjidhje dhe tek kadastra është shumë afër” tha Tahiri.

Kreu i delegacionit serb, Borko Stefanovic ka konfirmuar përparimin në bisedime, duke shtuar se gjithmonë kërkohet një zgjidhje brenda kornizës ligjore.

“Përqasja jonë ndaj problemeve ndoshta nuk ishte aq entuziaste dhe e pranueshme për Prishtinën. Por, ne do të vazhdojmë të japim propozime të mira” tha Stefanovic.

Edhe raundi i dytë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mbajtur nën ndërmjetësimin e zyrtarit të Këshillit të BE-së, Robert Cooper. BE kërkon rezultate konkrete nga bisedimet që duket se kanë munguar edhe në këtë raund.

Gjovalin Kola

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›