E Diel, 1 Nëntor 2026

Raundi i dytë i vendoreve në Kosovë, 18 komuna në balotazh. Votojnë liderët e partive dhe kandidatët për kryetarë komunash

Qytetarët e 18 komunave të Kosovës votojnë sot për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë dhe procesi i votimit ka nisur pa pengesa.

Në konferencën e parë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, është shpërndarë në orët e para të mëngjesit në të gjitha Qendrat e Votimit.

“Sipas informacioneve të marra nga KQZ, procesi i votimit ka filluar në të gjitha Qendrat e Votimit,” tha Elezi.

Sot, procesi i votimit po zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime. 507 qendra me 1,628 vendvotime janë të destinuara për votimin e rregullt. 18 qendra të tjera, nga një për secilën komunë, me gjithsej 20 vendvotime, janë hapur për votimin me kusht.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash po mbahet në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Sipas listës së votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 1,316,672. Përveç votimit të rregullt, KQZ ka organizuar edhe ekipe mobile/lëvizëse për 2,541 votues me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar paraprakisht.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash zhvillohet pasi asnjë prej kandidatëve nuk mundi të siguronte mbi 50% të votave të nevojshme, konkretisht në: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) udhëheq me numrin më të madh të garave në balotazh, e pasuar nga LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe. Lëvizja Vetëvendosje e fitoi garën pa balotazh në tre komuna Podujevë, Kamenicë dhe Shtime dhe shkon në balotazh në 12 të tjera. LDK-ja, garon në 9 komuna në balotazh, PDK-ja garon në 6 komuna në balotazh, AAK-ja garon në 5 komuna në balotazh, ndërsa Lista Serbe shënoi fitore në 9 komunat e banuara me shumicë serbe, ndërsa në Kllokot kryesoi, por shkon në balotazh me Unitetin Kombëtar Serb.

Osmani: Kosova ka demokracinë më të lartë elektorale në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas votimit për zgjedhjet lokale, u shpreh se Kosova ka demokracinë më të lartë elektorale në rajon.

“Është ditë po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve. Sot përfundimisht vendosin jo vetëm se kush do të qeverisë, por vendosin edhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Rrjedhimisht shpresoj që secili prej qytetarëve me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe të dalë të votojë. Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon dhe kjo është pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votime dhe se organizojmë zgjedhje të lira e demokratike”, deklaroi Osmani.

Votojnë liderët e partive në Kosovë dhe kandidatët për kryetarë komunash

Liderët e partive politike në Kosovë dhe kandidatët e tyre për kryetarë të komunave, pasi ushtruan të drejtën për të votuar, iu drejtuan qytetarëve me thirrje për pjesëmarrje masive në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pasi ushtroi të drejtën e votimit tha se kjo e diel është ditë e mirë për demokracinë

“Ndonëse është e diele, besoj që sot që të gjithë jemi zgjuar herët në mëngjes, është ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë. Republika e Kosovës mban zgjedhjet në raundin e dytë, pra për balotazh në 18 komuna të shtetit tonë. Unë porsa votova këtu në Prishtinë, në ndërtesën e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. U bëjë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës e vendimmarës për kryetarët e komunave dhe kësisoj për katërvjeçarin në vijim, për ata si banorë të komunave të Republikës. Gjithçka do të shkoj mbarë e mirë edhe KQZ i ka bërë përgatitjet por edhe që të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit tashmë ndodhen në qendrat e votimit”, tha Kurti.

Ndërsa kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës së Prishtinës, Hajrulla Çeku ftoi qytetarët të dalin masivisht të votojnë.

“Uroj që deri në fund të ditës të shkojë gjithçka në rregull, të jetë një ditë e mbarë, për demokracinë, për kryeqytetin tonë. Uroj që edhe katër vitet e ardhshme të jenë të mbara, të mira, për të gjithë qytetarët e kryeqytetit. I ftoj të gjithë që sa më masivisht ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë, për demokraci dhe për qeverisje të mirë“, tha Çeku.

Festë i cilësoi zgjedhjet e së dielës kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Sot në Kosovë, zgjedhjet trajtohen e janë festë. Ditë e mirë, mëngjesi i mirë, shpresojmë të jetë proces i mbarë e i mirë. Siç ka ditur populli i Kosovës të sillet në procese zgjedhore. Kështu vendoset fati i komunave tona. Jam i lumtur për nivelin demokratik që e tregojmë”, tha Abdixhiku.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi refuzoi të përgjigjej kur u pyet pas votimit nëse mbështet ndryshimin apo vazhdimin e qeverisjes lokale nga kandidati i LDK-së në Prishtinë.

“Ndonjëherë zgjedhja e parë nuk është, mirëpo është heshtje e nuk mund të flas”, tha Krasniqi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›