Reagime të ashpra në Lindjen e Mesme pas sulmeve iraniane ndaj bazave amerikane

Pas sulmit të përbashkët amerikano-izraelit në Iran, Teherani nisi një valë sulmesh hakmarrëse ndaj bazave amerikane në Katar, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordani dhe Bahrein. Ngjarjet kanë shkaktuar reagime të menjëhershme nga vendet e rajonit.
Katari e cilësoi sulmin si një “shkelje flagrante të sovranitetit kombëtar”, duke theksuar se veprimet e Teheranit tregojnë mungesë mirënjohjeje ndaj përpjekjeve të Dohas për ndërmjetësim.
Kuvajti aktivizoi nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke konfirmuar se mbrojtja ajrore e vendit “zmbrapsi me sukses agresionin” në përputhje me procedurat operacionale dhe rregullat e angazhimit.
Omani, përmes ministrit të Jashtëm Badr Albusaidi, shprehu zhgënjim dhe i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të mos përfshihen më tej: “Kjo nuk është lufta juaj.”
Arabia Saudite e përshkroi operacionin iranian si “të pabesë”, duke paralajmëruar se vendet e prekura do të përdorin të gjitha kapacitetet në dispozicion. Riadi u bëri thirrje gjithashtu vendeve të tjera të bashkohen në denoncimin e sulmeve.
Iraku njoftoi se po ndjek situatën me “shqetësim të madh” dhe u kërkoi qytetarëve të tij brenda dhe pranë zonave të sulmuara të kërkojnë strehim.
/rtsh.al/