E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimet pas shortit të Champions/Rumenige-Samer: Hejnkes nuk do të flasë me Guardiolën për Barcelonën

rumenige samerChampions: Bajern-Barça, Borusia përsëri ndaj Realit
Gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve kanë evituar një përplasje brenda të njëjtit shtet, duke dhuruara dy sfida Gjermani-Spanjë, nga të cilat do të dalin finalistet e turneut. Shorti, i tërhequr nga golashënuesi më i mirë i historisë së këtij aktiviteti, Rud Van Nistelroi, ka vënë përballë në gjysmëfinale dy skuadrat që për momentin cilësohen si më të fortat në Evropë, Bajern Mynih dhe Barcelonën. Ekipi i drejtuar nga Jup Heinkes ka dominuar kampionatin gjerman dhe ka mbyllur diskutimet për titullin kampion në Bundesligë që në javën e kaluar, ndërsa katalanasit kanë pasur një sezon me hope, por vazhdojnë të kryesojnë të shkëputur kampionatin. Ndeshja e parë zhvillohet në Allianz Arena në Mynih, me skuadrën spanjolle që ka një avantazh minimal pasi luan takimin e kthimit në fushën e vet. Ironik është fakti se përballë vihet e kaluara dhe e ardhmja e Pep Guardiolës, me trajnerin spanjoll që do të ketë të vështirë të përjetojë si tifoz këtë ndeshjes, i ndarë mes ish-ekipit të tij dhe klubit në drejtimin e të cilit do të vihet në sezonin ardhshëm. Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër do të jetë një sfidë që është parë më herët në këtë sezon, mes Borusia Dortmund dhe Real Madrid. Dy ekipet janë vënë kundër njëri-tjetrit edhe në fazën në grupe të turneut, pasi ishin të dy në atë që u quajt grupi vdekjes, pasi në radhët e tij ishin edhe Mançester Siti dhe Ajaks. Skuadra gjermane fitoi në shtëpi dhe barazoi në Santiago Bernabeu përballë madrilenëve, duke u rrëmbyer edhe vendin e parë në grup. Këtë radhë, ekipi i Murinjos është më i favorizuar se në sfidat e mëparshme me eliminim direkt të këtij edicioni pasi luan në fushën e vet ndeshjen e kthimit.

************
Ch. League, pas shortit, Barça-Real favoritë për trofeun
Shorti i Champions Ligë, që përcaktoi dy çiftet gjysmëfinaliste të këtij kompeticioni, ka bërë që të ndryshojnë edhe koeficientët për mundësitë që kanë Barcelona, Reali i Madridit, Bajerni i Mynihut dhe Borusia e Dortmundit për ta ngritur lart këtë trofe. Nëse para shortit suksesi përfundimtar i Barcelonës kuotohej 2.70, pas përzierjes së goglave ky koeficient u ngjit në 3.00. Ndryshe ndodhi me Realin e Madridit, që iu rritën shanset e ngritjes lart të këtij trofeu, nga 3.5 në 3.00. Pra dy gjigantët e futbollit spanjoll kanë mundësi të barabarta për të triumfuar në Champions Ligë. Bajerni i Mynihut, vjen i treti në radhë, me koeficientin 4, ndërsa Borusia e Dortmundit ka më pak mundësi për të triumfuar, çka tregohet nga koeficienti i lartë 7.50. Sa u përket gjysmëfinaleve, kualifikimi i Realit kuotohet 1.40, ndërsa suksesi i Borusias e ka koeficientin 3. Shumë më të ekuilibruar janë koeficientët e gjysmëfinales tjetër. Kështu kalimi i Barcelonës në finale kuotohet me 1.8, ndërsa suksesi i Bajernit ka koeficientin 1.9.

**************
Bajern Mynih-Barcelona, reagimet pas shortit

Rumenige-Samer: Hejnkes nuk do të flasë me Guardiolën për Barcelonën

Pasi Bajërni i Mynihut peshkoi në shortin e Champions League Barcelonën, Matias Samer, drejtor teknik i ekipit gjerman, vuri në dukje se ky është një short i bukur. Ky është një short i bukur për ne. Kishte katër skuadra fantastike dhe e dinim që do të luanim ndaj një prej tyre. Mendoj se do të jetë një sfidë fantastike dhe nuk e shoh si disavantazh të luajturin e ndeshjes së parë në shtëpi. Këtë e treguam edhe ndaj Juventusit. Kam parë disa ndeshje të Barcelonës në këtë sezon dhe e di që do të na duhen dy paraqitje të jashtëzakonshme për tia dalë mbanë. Heinkes nuk do të flasë me Guardiolën rreth Barcelonës, është çështje etike. Nga njëra anë, Heinkes është ende trajner i Bajern Mynih ndërsa Guardiola do të fillojë punën vetëm në verë. Nga ana tjetër, është një çështje respekti, tha Samer. Në të njëjtën linjë me Samer, ishte edhe Karl-Hainz Rumenige, shef ekzekutiv i Bajern Mynih. Mendoj se do të shohim dy ndeshje shumë të mira, të luajtura në nivelin më të lartë të mundshëm. Për më tepër, mendoj se të luash në shtëpi ndeshjen e parë është një avantazh, në kundërshtim nga mendimi i përgjithshëm se është disavantazh. Por vazhdoj të mendoj se Barcelona është favorite për të fituar Ligën e Kampioneve. Ata janë shembulli që duhet ndjekur në Evropë. Kanë fituar Ligën e Kampioneve më shumë se çdokush tjetër në vitet e fundit. Ata janë skuadra më e mirë në Evropë për momentin, me një forcë sulmi fantastike. Luajtëm kundër tyre në vitin 2009 dhe na mundën keq. Më kujtohet mirë ajo ndeshje dhe seriozisht që nuk më pëlqen të mendoj rreth saj, pasi ishte e dhimbshme ta shihje. Atëherë Mesi na shkatërroi i vetëm. Duhet të mundohemi të vështirësojmë komunikimin Mesi-Ksavi-Iniesta. Megjithatë, kjo është një mundësi e shkëlqyer që të tregojmë se sa jemi përmirësuar që atëherë, tha ai. I pyetur nëse gjërmanët do ti kërkojnë këshilla trajnerit të tyre të ardhshë, Rumenige e mohoi kategorikisht. Guardiola nuk dëshiron as të jetë i ftuar dhe as të shqetësojë në edicionin aktual pasi është një person me takt. Nuk do ta pyesim atë për asgjë pasi nuk ka gjerman që njeh më mirë futbollin spanjoll sesa Heinkes. Barcelona
Ndërsa Andoni Zubizarreta, drejtor sportiv i Barcelonës, deklaroi se kjo ndeshje është një sfidë e shkëlqyer. Janë katër skuadra në gjysmëfinale dhe të gjitha pëlqejnë të luajnë futboll. Edhe ne jemi të lumtur që bëjmë pjesë mes tyre.

************
Borusia Dortmund-Real Madrid, reagimet pas shortit: Kemi respekt për njëri-tjetrin
Pas shortit Borusia Dortmund-Real Madrid, Emilio Butragenjo, ambasador sportiv i Real Madrid, deklaroi se është një kënaqësi dhe nder për ne të jemi këtu. Kemi shumë respekt ndaj Borusia Dortmund. Kemi luajtur dy herë ndaj tyre në fazën në grupe por nuk arritëm ti mundim. Këtë herë shpresojmë që të jetë ndryshe pasi ne duam të jemi në finale, kjo është ajo që ëndërrojmë të gjithë. Ndërsa Hans-Joakim Uatzke, administrator i përgjithshëm i Borusia Dortmund u shpreh se nuk mendoj se Real Madrid do të jetë i frikësuar për shkak të asaj që ndodhi në fazën në grupe. Ata do të na respektojnë ashtu siç i respektojmë edhe ne. Jemi të lumtur me shortin, jo sepse mendojmë se është i lehtë, por sepse Liga e Kampioneve është një turne ndërkombëtar dhe dëshironim një ndeshje ndërkombëtare, para një sfide kombëtare ndaj Bajern Mynih. Nga e tij Jurgen Klop, trajner i Borusia Dortmund u shpreh që skuadra e tij vihet përballë një kundërshtari të vështirë si Real Madrid. Në fund të fundit, e kemi mundur një herë në këtë sezon, tha Klop dukë buzëqeshur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›