Berisha: Rama-Kokëdhima, sulm ndaj institucioneve, u kërcënua edhe Presidenti
Kryeministri i vendit reagon përmes rrjetit social, “Facebook
Kryeministri i vendit Sali Berisha reagoi përmes rrjetit social, “Facebook” mbi deklaratat e bëra nga Edi Rama për Presidentin, Kryeprokurorin dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar. Kryeministri Berisha theksoi se kreu i Partisë Socialiste Edi Ra,a sulmoi institucionet kushtetuese, Presidentin dhe kërcënon me largime nga puna administratën. Në citimin e nisur me një shprehje shkodrane ‘Tash po ju kalon vedi!’, Berisha thekson se sulmi vulgar i Ramës me Kokëdhimën nuk janë aspak çudi dhe të papritura. “Të dashur miq, dyshja Rama-Kokëdhima vazhdojnë furishëm revanshin e pandalshëm dhe kërcënimet vulgare ndaj institucioneve të vendit. Dje ata, me Tëitter, hapen tenderin për fshesën e administratës. Sot në fjalën e tij, zoti Rama kërcënoi Presidentin me 84 votat e tij, pasi nuk arriti të konsolidojë projektin aventuror për shkarkimin antikushtetues te Presidentit dhe heqjen se paku të tij nga kryetar i KLD-së dhe vendosjen e këtij institucioni nën drejtimin e kryeministrit. Ai sulmoi dhe kërcënoi qeverinë sepse ai beson se ata kanë marrë një mandat për 4 vjet e tre muaj. Sulmoi dhe kërcënoi Prokurorinë sepse ëndërron rikthimin e tregtarëve të dosjeve dhe militanteve të PS që e kishin shndërruar atë në një repart fanatik të PS. I ngarkon detyra Guvernatorit duke harruar se Banka është e shtetit dhe jo e qeverisë. Programin ia ka besuar Beqes dhe Yllit, ndërsa për Koçon dhe vehten kanë zgjedhur sulmin, revanshin ndaj institucioneve kushtetuese dhe çdo gjëje jo socialiste. Asgjë të papritur as dhe për t’u çuditur nga çifti Rama - Kokedhima. Shkodranët e kanë një shprehje: "tash po ju kalon vedi!", shprehet kryeministri Berisha.
Më herët Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar deklaroi se shpreson në bashkëpunimin e tij jo si noter i një pale që ka humbur zgjedhjet, por si President që respekton Kushtetutën. Kryesocialisti sulmoi kreun Prokurorisë së Përgjithshme se nuk ka bërë asgjë për të luftuar krimin. “Ne nuk kemi votuar as për Presidentin e sotëm dhe as Prokurorin, por ne nuk jemi votuar për ta rifutur qeverinë e këtij vendi në llogoren e luftës politike ndaj një Kryeprokurori që nuk ka bërë asgjë për të luftuar krimin dhe korrupsionin”, theksoi Rama.