E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi:Të ardhurat konsullore janë dy herë më pak nga sa u paraqitën

Ministria e Jashtme hedh poshtë shpifjet e deputetit të PS Balla. Kjo ministri garanton se personat që rezultojnë përgjegjës për shkelje apo abuzime janë vënë dhe do të vihen para përgjegjësisë administrative dhe ligjore, ndërsa MPJ mbetet thellësisht e përkushtuar për të përmirësuar shërbimin tonë konsullor ndaj shtetasve tanë që jetojnë jashtë vendit. Ministria e Jashtme përgënjeshtroi dje deklaratën e deputetit socialist, Taulant Balla, për korrupsion në konsullata. Zyra e shtypit pranë MPJ-së bëri të ditur se “shifrat e deklaruara sot nga Partia Socialiste janë falsifikime dhe të pavërteta”. “Të ardhurat konsullore për vitin 2005 nuk janë 4 milionë e 50 mijë euro siç deklaron Partia Socialiste, por 2 milionë e 197 mijë euro. Ky është një shembull për të kuptuar deformimin flagrant të shifrave. Ndryshimi i të ardhurave nga konsullata jonë në Athinë mes viteve 2007-2006, vjen si rezultat i kalimit më 15 qershor 2007 të proçedurave nga shërbimi konsullor shqiptar në Greqi, në shërbimin konsullor grek në Shqipëri, një fakt ky i njohur botërisht nga opinioni publi”- thuhet në reagimin për shtyp të kësaj ministrie. Në kuadër të rritjes së transparencës dhe shmangies së abuzivizmit- vijon më tej sqarimi- me urdhrin
e Ministrit të Punëve të Jashtme të datës 9 janar të këtij viti, të gjitha shërbimet konsullore do të kryhen vetëm përmes postës, me përjashtim të rasteve kur aktet normative në fuqi kërkojnë paraqitjen e vetë personit pranë autoriteteve të shërbimit të jashtëm. Ndërkohë, përkundër akuzave për neglizhencë, Zyra e Shtypit e MPJ-së tha se menjëherë pas denoncimeve të disa rasteve në media, Ministria e Punëve të Jashtme ka nisur  grupet e kontrollit dhe të auditimit në përfaqësitë tona jashtë. “Personat që rezultojnë përgjegjës për shkelje apo abuzime janë vënë dhe do të vihen para përgjegjësisë administrative dhe ligjore, dhe kjo sepse Ministria e Punëve të Jashtme mbetet thellësisht e përkushtuar për të përmirësuar shërbimin tonë konsullor ndaj shtetasve tanë që jetojnë jashtë vendit, dhe për të mos toleruar praktikat jo transparente dhe abuzive””- përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme. Deputeti socialist Tualant Balla akuzoi për aferra korruptive përfaqësitë konsullore shqiptare në Milano, Bari, Romë, Athinë, Selanik, Janinë, duke bërë me këtë rast përgjegjës edhe ministrin e Jashtëm Lulzim Basha. “Për vitin 2005, Konsullata jonë në Athinë ka raportuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme 4 milionë e 50 mijë Euro. Për vitin 2006, po kjo Konsullatë ka raportuar 2.590.000 Euro. Pra vetëm në vitin e parë, kur në këtë Konsullatë u vendosën familjarët dhe militantët e Partisë Demokratike, në llogaritë e Konsullatës shqiptare në Athinë u zhdukën rreth 1.5 milionë Euro. Për vitin 2007, Konsullata në Athinë për gjashtë mujorin e parë ka raportuar 800 mijë euro, në fund të vitit 1 milion euro. Edhe sikur të pretendohet se janë hequr një pjesë e legalizimeve në pjesën e dytë të vitit 2007, përsëri në llogarinë e kësaj Konsullate mungojnë të paktën 1 milionë Euro. Për vitin 2008, Konsullata ka raportuar vetëm 851.000 Euro. Pra, nga 4 milionë Euro në vitin 2005, në vitin 2008 mungojnë 3.2 milionë Euro. Nuk ka asnjë dyshim se të gjitha këto para që shkonë në disa milionë Euro, janë përvetësuar nga kjo strukturë ekonomiko-kriminale”-deklaroi Balla, duke i bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të fillojë menjëherë hetimet mbi këto akte korrupsioni dhe shpërdorimi detyre.
 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›