Reagon Brukseli, Olli Rehn: Zgjidhje urgjente për bojkotin
Komisioneri europian për zgjerimin, Olli Rehn, ka bërë thirrje për një zgjidhje urgjente të krizës shqiptare, duke theksuar me forcë qëndrimin e Brukselit që nuk e pranon performancën politike të opozitës që ka braktisur institucionin kryesor të vendit-Parlamentin. Në një deklaratë të shkurtër të dhënë për reporterin e "Top Channel" në Bruksel, Arta Tozaj, komisioneri Rehn deklaroi se "E rëndësishme është që në këtë moment të garantohet pjekuria dhe stabiliteti. Bojkotet nuk janë formë europiane e jetës politike". Pra, sinjali ka qenë i qartë dhe mjaft i fortë, por që normalisht nuk i drejtohet vetëm opozitës, por edhe mazhorancës. Bashkimi Europian ka bërë me dije në mesazhin e fundit se nuk mund ta tolerojë një gjendje të pastabilizuar në Shqipëri, ku urgjente janë reformat e rëndësishme, të cilat varen nga prezenca e Partisë Socialiste në Kuvend. Qëndrimin e Rehn e ka forcuar edhe një tjetër zyrtar i lartë i Brukselit zyrtar, i cili ka vizituar dje Tiranën. Bëhet fjalë për drejtorin e Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Pierre Mirel, i cili dje është takuar me Kryeministrin Sali Berisha, zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Z. Mirel, pas takimeve me Berishën e Metën ka deklaruar se bojkoti nuk është rruga e duhur dhe kjo situatë do të ndikojë në qëndrimet e BE-së për Shqipërinë, ndaj duhet gjetur formula e duhur për të zgjidhur situatën. Gjatë ceremonisë së përurimit të qendrës të informacionit të BE-së në Tiranë, drejtori i Drejtorisë për Ballkanin ka mbajtur një fjalim që diplomatikisht ka qenë një mesazh ndaj qeverisë, e cila ishte e gjitha në eveniment duke përfshirë, Kreun e Kuvendit, Topalli, Kryeministrin Berisha dhe shefin e diplomacisë, Ilir Meta. Mirel tha se "nëse Shqipëria do të plotësojë kushtet për liberalizimin e vizave ne do të japim opinionin tonë, por gjithmonë ka një "por dhe megjithëse". Një qëndrim për të frenuar entuziazmin, por edhe për të kërkuar një rifillim të reformave të domosdoshme, të cilat sipas zyrtarit të lartë, "vihet re një lodhje nga reformat në vendet e Ballkanit". Lufta ndaj korrupsionit dhe reforma në gjyqësor ka qenë thelbi i mesazhit të zyrtarit të Brukselit, i cili dje ka lançuar qendrën e re të informacionit të BE-së në Tiranë, e cila përveçse në Tiranë do të ketë edhe 7 zyra të tjera në universitetet e qyteteve kryesore. Gjatë takimit me zv/kryeministrin Meta, Mirel deklaroi se "për sa i përket pyetësorit, të gjitha forcat në Shqipëri duhet të ndihmojnë. Dhe kur themi të gjitha forcat, duhet të kuptojmë edhe Parlamenti. Dhe për këtë arsye, në mënyrë që Parlamenti të ndihmojë dhe të kontribuojë ashtu siç bëmë edhe me Parlamentin në Malin e Zi, nevojitet apo lipset që opozita të jetë në Parlament. Në një demokraci, debati politik, diskutimet politike mund të bëhen vetëm në Parlament dhe jo në rrugë. Përndryshe do të kemi një ndikim në opinionin që do të përgatisim ne, dhe për këtë do të shikojmë funksionimin e demokracisë, Parlamentin dhe do të shohim nëse ai funksionon. Prandaj, duhet gjendur mënyra që shumë shpejt opozita të kthehet në Parlament. Pra, unë po inkurajoj që të ketë dialog mes pozitës dhe opozitës dhe që të gjendet zgjidhje në mënyrë që opozita të kthehet në Parlament për të kontribuar në këtë debat".