E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon Kodheli: PS nuk e ka përjashtuar asnjëherë dialogun

Selia rozë vlerëson pozitivisht deklaratën e 27 ministrave të Jashtëm për situatën në vend, ndërsa deklaron se asnjëherë kjo parti nuk ka përjashtuar mënyrat demokratike për të zgjidhur krizën. Deputetja e kësaj partie, Mimi Kodheli, deklaroi se PS-ja nuk e ka përjashtuar asnjëherë mundësinë e dialogut, por reagimi i qeverisë dhe mazhorancës e ka detyruar atë të kërkojë edhe rrugë të tjera. "Ne nuk i kemi përjashtuar asnjëherë mënyrat demokratike për të zgjidhur krizën e rëndë politike në vend. Nuk kemi përjashtuar asnjëherë asnjë mjet për të arritur në qëllimin tonë final, që ka qenë hapja e kutive. Por duke parë që nuk kemi pasur, flas këtu për muajt e kaluar, asnjë reagim, jemi detyruar që të marrim një rrugë tjetër", tha deputetja socialiste.

Kodheli vlerësoi se reagimi i ministrave të BE-së është një reagim i drejtë dhe është në të drejtën e tyre të kërkojë gjithmonë dialog, po aq edhe në të drejtën tonë që të kërkojmë leximin e votës. "Kështu që këto dy gjëra nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën, sepse janë në fund të fundit të një qëllimi, zgjidhja e krizës politike në vend. Nuk do të kishim dashur që vendi të kalojë në një krizë politike, por kemi qenë të detyruar ta bëjmë këtë duke besuar në atë mënyrë që opozita sot vepron", tha Kodheli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›