E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: PSE nuk miratoi rezolutë për Shqipërinë

Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi ndaj çështjes së anëtarësimit të PS-së në PSE, duke sqaruar se bëhet fjalë për një anëtarësim të asociuar, ose e thënë ndryshe, bazuar te statusi i PSE-së, kjo parti do të jetë anëtare që ka të drejtë të shprehë mendim, të marrë iniciativa, por pa të drejtë vote. Sakaq, LSI-ja ka konsideruar si skandaloze dhe jonormale deklaratën e selisë rozë, se tryeza e PSE-së ka dhënë pëlqimin për kërkesat e PS-së në lidhje me zgjedhjet. Në një komunikim me mediat, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, iu referua deklaratës së zëdhënëses së PSE-së, Silke Tomson, e cila ka mohuar se në kongres është miratuar ndonjë rezolutë për Shqipërinë. "Sigurisht të gjendur në vështirësi të mëdha për arsye të një bojkoti vetëvrasës, Edi Rama ka arritur në marrëzinë e tij politike që të shpikë edhe veprime që nuk kanë ndodhur kurrë, edhe rezoluta që nuk kanë ekzistuar kurrë", tha Vasili, duke shtuar se është e qartë që Edi Rama ka demonstruar sjelljen më të papërgjegjshme dhe më skandaloze, duke iu referuar dhe mashtrimeve të mëdha publike të karakterit të lartë politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›