E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon Luan Hoxha: Për Gërdecin kam zgjedhur heshtjen

Tiranë- Gjenerali i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha ka reaguar pas shkarkimit nga presidenti Bamir Topi. Në një komunikatë për mediat ai ka deklaruar se nuk është njohur ende me dekretin e presidentit. “Akoma nuk e kam marrë dekretin në fjalë. Por përpara së gjithash, dua të vlerësoj gjithë oficerët dhe ushtarët tanë kudo qofshin, për të gjithë punën e bërë, kurorëzuar me marrjen e ftesës për në NATO”- tha Hoxha në një deklaratë të shkurtër, ku ka komentuar heshtjen e tij lidhur me tragjedinë e Gërdecit. “Kam zgjedhur me vetëdije heshjtjen, duke qenë i bindur se në këtë mënyrë do të ndihmoja në mënyrë modeste zhvillimin e hetimeve. Jam i bindur se ky qëndrim shkon njësh me respektin e ligjin, ku vendimet merren pas gjykimeve dhe jo para tyre”- tha ai.

Hoxha ka pranuar se është për respektimin e institucioneve dhe beson në hetimet që do të kryejnë ato. Në fund ai ka shtuar se aktiviteti i tij do të jetë në respekt të vahdueshëm të instutucioneve dhe ligjit.

Paradite Presidenti i republikës, Bamir Topi dekretoi kërkesën e kryeministrit Sali Berisha për shkarkimin nga detyra të Luan Hoxhës, ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Berisha ka kërkuar shkarkimin e të ashtuquajturit Gjeneral Lejtnant pasi sipas tij ai është një nga shkaktarët për tragjedinë e ndodhur në Gërdec.

Ndër të parët që u morën në pyetje menjëherë pas shpërthimit të Gërdecit ishte edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-leitnant Luan Hoxha, i cili ka dëshmuar për rreth 6 orë në prokurori para zv/prokurorit Genc Qano. Sipas këtyre burimeve, mësohet se përveç deklarimeve në lidhje me ngritjen e punishtes së çmontimit të fishekëve në Gërdec, gjeneral-leitnant Hoxha ka dorëzuar para prokurorisë edhe disa urdhra, shkresa zyrtare, raporte të shërbimit dhe procesverbale të ndryshme të firmosura nga zyrtaarë të ministrisë së Mbrojtjes. Mësohet se ndër shkresat e dorëzuara në prokurori ndodhet edhe një leje-kalimi i lëshuar për agjentët e FBI-së, të cilët në shtator të 2007 ishin vënë në dijeni nga vetë Shefi i Shtabit gjeneral Hoxha mbi dyshimet që ai kishte për trafikimin e materialeve ushtarake nga aeroporti i Rinasit. Kështu, pas vënies në dijeni për këto dyshime dy agjentë të FBI-së nga mesi i muajt shtator kanë kërkuar leje-kalimi për në zonën ushtarake të Rinasit për të inspektuar ngarkesat e avionëve që bëheshin me urdhër të ndërmarrjes MEICO dhe kërkesës së kompanisë "Albdemil". Sipas burimeve, mësohet se leje-kalimi është lëshuar me vetë firmën eLuan Hoxhës, pas kërkesës së agjentëve të FBI-së, të cilët ishin informuar mbi dyshimet e ngritura nga strukturat e Shtabit të Përgjithshëm për trafik të materialeve ushtarake.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral-lejtnant Luan Hoxha, duket se i ka prishur marrëdhëniet me ish-ministrin Fatmir Mediu që prej dhjetorit të vitit 2006. Asokohe, ish-ministri kishte firmosur dy urdhra, njëri pas tjetrit, me anë të së cilëve i ndalonte Hoxhës shtesën e pagës, në rast se ai përfshihej në komisionet e tenderëve të kësaj ministrie. Nga ana e tij, kreu i Shtabit të Përgjithshëm vendosi të "rebelohej", jo vetëm duke marrë paratë shtesë, por edhe duke mos i kthyer ato në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, pas urdhrit të dytë të Mediut. Ish-ministri i Mbrojtjes i kishte justifikuar këto urdhra me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që i kishte cilësuar paratë shtesë të Hoxhës të jashtëligjshme. Konflikti mes zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes ka zgjatur për më shumë se një vit, ku vetëm pak ditë pas ngjarjes tragjike të Gërdecit, kreu i Shtabit të Përgjithshëm kishte paditur në gjyq ministrin Fatmir Mediu.

Sipas kërkesë-padisë së depozituar në mars të këtij viti pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, mësohet se Luan Hoxha ka vazhduar të marrë shtesën mbi pagën, ndërsa ka paditur në Gjykatë ish-ministrin e Mbrojtjes, duke kërkuar shfuqizimin dhe ndryshimin e aktit administrativ të firmosur nga ai. Në kërkesë-padi, Hoxha i cilësonte këto dy urdhra si të paligjshëm dhe të pambështetur në sistemin e pagave të ushtarakëve në detyrë dhe rregullores së Shtabit të Përgjithshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›