E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon PD-ja: Rama vazhdon të mbajë peng planin urbanistik të qytetit të Tiranës

Partia Demokratike për të disatën herë ka akuzuar dje kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se po vazhdon të mbajë peng planin urbanistik të Tiranës. 

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, deklaroi dje përpara mediave se “Edi Rama vazhdon të mbajë peng planin rregullues urbanistik të Tiranës dhe të mashtrojë  me cinizëm të gjithë qytetarët se ia ka dorëzuar këtë plan Këshillit Bashkiak”’. 

Zëdhënësja parashtroi dhe arsyet pse kryebashkiaku i Tiranës nuk e dorëzon planin urbanistik, duke argumentuar se “Rama nuk e dorëzon këtë plan, se ai është në funksion të Koços dhe Dulakut, të cilëve u ka dhënë dhjetëra hektarë troje publike për të ndërtuar pallate 18-katëshe në hyrje të Tiranës dhe në zona të tjera të Kryeqytetit”. 

Duke kujtuar faktin se kryeqyteti tashmë është betonuar nga ndërtimet e pafundme, zëdhënësja deklaroi se “Rama nuk e dorëzon planin rregullues sepse po ta bënte këtë gjë nuk do të mundte që në një mbledhje të vetme të miratonte 19 leje ndërtimi, për të shndërruar në beton zona të tëra që janë për gjelbërim”. 

Duke kujtuar iniciativën e grupit të PD-së, për ngritjen e një komisioni hetimor për kryebashkiakun e Tiranës, zëdhënësja deklaroi më tej se “Partia Demokratike shpreh bindjen se me ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar, tiranasve do t’u rikthehet plani i qytetit të tyre”. 

Pas reagimit të nënkryetarit të bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi është kundërpërgjigjur sërish zëdhënësja e PD-ës duke deklaruar se “Shalsi me pafytyrësi doli në konferencë për shtyp mbas asaj të PD-së, duke thënë se plani rregullues është miratuar në KRRT, dhe se PD gënjen kur thotë se nuk ka ende një plan”. 

Zëdhënësja theksoi se “PD prej kohësh po thotë se ka 4 muaj që plani është përfunduar e miratuar, edhe pse vetëm në parim ne KRRT, dhe mbahet peng duke mos iu dorëzuar  për miratim KRRTRSH-së. PD nuk thotë që nuk ka plan, por përkundrazi thotë që plani i përfunduar nuk dorëzohet për t’u miratuar”, deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›