E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezultati i zgjedhjeve turke ndërlikon reformën kurde të qeverisë “Erdogan”

Zgjedhjet vendore të Turqisë mbajtur më 29 mars, kanë lëkundur shanset për trajtimin e çështjes kurde. Partia e Shoqërisë Demokratike (DTP) e konsideruar gjërësisht si e lidhur me Partinë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) fitoi pothuajse të gjitha bashkitë e mëdha në juglindjen e populluar kryesisht nga kurdët. Rezultati ishte një goditje e madhe për Kryeministrin Rexhep Tajip Erdogan dhe Partinë e tij për Drejtësi e Zhvillim (AKP) që ka kërkuar të krijojë mbështetje midis kurdëve me politikat e tij të reformës së moderuar. DTP fitoi poste kryebashkiakë në qytetin simbolikisht të rëndësishëm Dijarbakir si dhe në shtatë qytete të tjerë dhe 50 qyteza në Turqinë juglindore, një rritje me katër qytete dhe 18 qyteza nga zgjedhjet vendore të 2004. Partia e Erdogan kishte shpresuar të fitonte 100 bashki në Turqinë lindore e juglindore, duke i dhënë kryeministrit një mandat të fortë për programin e tij të reformës, ndërsa izolonte dhe dobësonte PKK. AKP mobilizoi të gjitha forcat e saj për të arritur fitoren. Partia përuroi kohët e fundit kanalin e parë kurd të TV, nëpërmjet transmetuesit publik TRT. Zyrtarët shtetërorë shpërndanë çmime të tilla si frigoriferë apo makina larëse. Vetë Erdogan vizitoi qytetet kryesorë në rajon dhe premtoi rritjen e investimeve, punëve dhe shërbime më të mira socialë. Përpjekja, e cila provokoi kritikë të konsiderueshme nga opozita në Turqi, nuk dha fryte. Partia përfundoi duke humbur 15% të votave krahasuar me shifrat e saj më 2007, duke fituar vetëm katër poste kryebashkiakë. Krerët e AKP fajësuan PKK. "Nuk ishte e mundur të kryhej një fushatë e suksesshme në rajonet ku PKK ka kërcënuar votuesit dhe zyrtarët e partisë", u tha gazetarëve kryenegociatori i Turqisë në BE, Egemen Bagis. Sipas gazetarit të Milliyet Taha Akyol, rezultati jep një "sinjal të fortë alarmi". Politika e identitetit e DTP, mënyra e saj radikale dhe ndjenjat e kurdëve që janë nën presion, ishin faktorë të rëndësishëm që shpunë në rezultatet e zgjedhjeve, shkroi Akyol, duke shtuar se përfundimi do ta bënte edhe më të vështirë arritjen e një zgjidhje të problemit kurd në të ardhmen e afërt. Udhëheqësi i DTP Ahmet Turk, megjithatë përshëndeti fitoren si një triumf të demokracisë dhe i bëri thirrje AKP të ndryshojë metodën e saj. "Ky është një paralajmërim për kuptimin nacionalist, autoritarian, të qeverisjes nga një parti, të AKP. Ky është një paralajmërim për AKP, për ngecjen e saj në vend në lidhje me reformat e BE, për shmangjen e debatit mbi një kushtetutë të re dhe për kuptimin e saj të kufizuar të demokracisë, të mbajtjes mend të demokracisë vetëm për vete," tha Turk. DTP do ndryshime radikale në sistemin shtetëror turk, duke përfshirë një kushtetutë të re që do të njohë autonominë kurde dhe që mbron amnistinë e përgjithshme për militantët e PKK. Ndonëse partia është tani mbi një bazë më të besueshme, shumë analistë nuk presin që ajo të fitojë lëshime të mëdha nga AKP në afat të shkurtër. Deri tani, Erdogan ka refuzuar të shqyrtojë emërimin ose edhe të zhvillojë një takim me ndonjë anëtar të DTP. Në vend të kësaj, ai goditi partinë për refuzimin e njohjes së PKK si një grup rterrorist dhe për mosdënimin e sulmeve të saj. Sedat Bozkurt, një gazetar i njohur dhe shefi i byrosë së Ankarasë për Fox TV, thotë se partia e Erdogan ra në një kurth politik ngritur nga DTP. "Për të penguar mbështetjen kurde për AKP, udhëheqësit e DTP futën një retorikë radikale të ashpër," i tha Bozkurt S outheast European Times. "Ata kanë bërë kërkesa radikale ... duke shpënë në hedhje poshtë me ashpërsi nga Kryeministri Erdogan dhe udhëheqësit e AKP. Kjo taktikë shërbeu mirë përsëri, për të bashkuar votat kurde për DTP". Sipas Bozkurt, AKP duhet të trajtojë kërkesat e identitetit të kurdëve nëse shpreson të rifitojë besimin dhe votat e tyre. Erdogan ka kohë që ka premtuar një hapje të re drejt juglindjes. Gjatë një vizite të rëndësishme në Dijarbakir më 2005, ai premtoi të njohë "realitetin kurd" dhe madje sugjeroi një përcaktim të ri të shtetësisë. Megjithatë, dhuna e ripërtërirë e PKK në muajt që pasuan nxiti zemërimin në Turqi dhe shpuri në presion politik në rritje nga nacionalistët. Me vite, terroristët e PKK kanë përdorur pjesën malore të Irakut të veriut si bazën e tyre për sulme kundër Turqisë. Rebelimi i përgjakshëm ka marrë gati 40 mijë jetë njerëzish që nga 1984. Udhëheqja e DTP është ende larg dënimit të grupit terrorist dhe prapë ia vë barrën e gjetjes së një zgjidhjeje paqësore qeverisë turke dhe jo PKK. Tani të gjithë sytë janë kthyer nga një Konferencë e propozuar Ndërkombëtare Kurde, e planifikuar për në maj në qytetin verior të Irakut, Arbil. DTP po planifikon një takim të të gjithë grupeve kurdë nga Turqia, Iraku, Siria dhe Irani, si dhe përfaqësues të PKK. Media vendore ka hamendësuar rreth një njoftimi të mundshëm nga PKK të kushteve të saj për të lënë armët. Megjithatë, Akyol nuk sheh fund të shpejtë të terrorizmit të PKK dhe as ndonjë zgjidhje në afat të shkurtër. "Ato çka mund të ulin tensionin etnik në afat të gjatë janë politikat e reformave demokratike që do të pasqyrojnë respektin tonë për idenditetin kurd si dhe politikat e integrimit social që do të forcojnë unitetin tonë," tha ai. "Por me qëllim të arritjes së këtij qëllimi, të gjithë ne, duke përfshirë opozitën CHP dhe MHP duhet të bëjmë një hapje, për hir të së ardhmes së Turqisë". Ajo që ndërlikon edhe më tej gjendjen janë marrëdhëniet shpesh të ndera midis partisë në pushtet të Turqisë dhe ushtrisë së vendit e cila e sheh veten si mbrojtësen e shtetit laik. Jo-fetarët janë përballur me Erdogan dhe partinë e tij rreth një plani të dyshuar "islamik" ndërsa ushtria ka kërkuar një vijë më të ashpër në çështjen kurde. Komandanti i lartë i ushtrisë shprehu këtë javë mbështetje për zgjerimin e të drejtave kulturore për sa kohë që kjo bëhet mbi bazën e shtetësisë turke. Duke iu drejtuar Akademisë së Luftës të enjten, Gjenerali Ilker Bashbug tha se probleme të tillë si papunësia dhe mungesa e mundësive i bëjnë të rinjtë kurdë të ndjeshëm ndaj joshjes së PKK dhe se luftimi i terrorizmit kërkon një "stretegji tërësore" dhe ndryshime të mundshme ligjorë. Ai përjashtoi, megjithatë, idenë e njohjes së identitetit kurd në një kushtetutë të re, duke theksuar se Turqia nuk është një shtet me bazë etnike. "Turqizma është një identitet i përgjithshëm (super-identitet) që i referohet të gjithë shtetasve të barabartë të Turqisë, pavarësisht nga prejardhja etnike e tyre," tha Bashbug.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›