E Enjte, 5 Nëntor 2026

Real Betis, finalistja e dytë e Kupës së Mbretit

Pasi ka njohur të mërkurën finalisten e parë të këtij sezoni, e cila është Valencia, që mposht 1-0 në shtëpi Atletik Bilbaon, teksa takimi i parë ishte mbyllur në barazim 1-1, Kupa e Mbretit, siç njihet ndryshe Kupa e Spanjës, ka njohur 24 orë më vonë edhe finalisten e dytë. Siç dihet kjo veprimtari, që është më e vjetra e futbollit spanjoll, është një tjetër ekskluzivitet madhor sportiv i Rrjetit të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar dhe të enjten ka ardhur në kanalin RTSH Sport ndeshja e kthimit e duelit tjetër, Real Betis-Rajo Vajekano.

Takimi i parë i këtij çifti, i luajtur më 9 shkurt në kryeqytetin spanjoll, kishte përfunduar me fitoren 2-1 të skuadrës andaluze, ndërsa pjesa e parë e takimit të kthimit ka qenë nën nivelin mesatar dhe e varfër, si në lojë, ashtu edhe në raste. Por e dyta ka parë skuadrën e Rajo Vajekanos, në formacionin bazë të së cilës ishte edhe futbollisti kuqezi, Ivan Balliu, të guxojë më tepër, në kërkim të golit që do të rihapte duelin.

Për rrjedhojë loja është hapur dhe është bërë edhe më interesante, me më tepër raste për t’u përmendur. Dhe 10 minuta para fundit të kohës së rregullt, Bebe ekzekuton mjeshtërisht një goditje të lirë, duke përshëndetur rrjetën dhe duke e kaluar Rajo Vajekanon në epërsi.

Real Betisi do të hidhet në sulm, teksa ky rezultat do të nënkuptonte kohë shtesë dhe është Balliu që shpëton fillimisht skuadrën e tij nga goli, duke larguar topin nga vija fatale. Por Betis do ta gjejë golin në minutën e dytë shtesë, nga 5 të tilla, me të sapofuturin Borha Iglesias.

Ndonëse 4 minutat e mbetura kanë parë nga një rast për secilën, Real Betis e mbron barazimin 1-1 dhe bashkë me të edhe vendin për herë të 4-t në finalen e Kupës së Mbretit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›