Real Madrid, Ancelotti: Nuk ka më blerje

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti tha se ekipi i tij është “më i mirë se vitin e kaluar” dhe sugjeroi se nuk do të ketë më ardhje në Santiago Bernabeu në këtë dritare transferimi. Blancos fituan La Ligën dhe Ligën e Kampionëve në sezonin 2021-22 dhe që atëherë kanë shtuar në skuadrën e tyre Antonio Rudiger nga Chelsea dhe Aurelien Tchouameni nga Monaco.
Megjithatë, u ngritën pikëpyetje për mungesën e opsioneve në sulm, me largimin e Luka Jovic për tek Fiorentina dhe dyshime për të ardhmen e afërt të Marco Asensio. Mbrëmë, në kuadër të përgatitjeve parasezonale në Las Vegas, Madridi u përball me rivalët e Barcelonës në El Clasico, duke humbur 1-0 me një gol të shkëlqyer nga Raphinha.
Përveç ish-lojtarit të Leeds United, Barca ka nënshkruar me Robert Leëandoëski nga Bayern për të kompletuar një grup të mrekullueshëm sulmuesish përpara sezonit të ri.
Kampioni madrilène, Karim Benzema nuk mori pjesë, ndonëse Ancelotti konfirmoi se francezi do të rikthehet në ndeshjen e radhës kundër Club America.
I pyetur nga gazetarët pas humbjes nga Barça nëse kishte nevojë për një sulmues tjetër, Ancelotti u përgjigj: “Ekipi është i kompletuar dhe është më i mirë se vitin e kaluar. Dy të ardhurit tanë të rinj do të japin një kontribut të madh. Janë 27 lojtarë, shumë dhe stërvitja e tyre nuk është e lehtë, por ata që kam janë inteligjentë dhe kuptojnë vështirësitë që kam”.
Për të ardhmen e Asensio dhe mesfushorit Dani Ceballos, Ancelotti u kufizua duke thënë se, “kjo varet nga ata dhe nga klubi”.
Eden Hazard e nisi ndeshjen në Allegiant Stadium duke luajtur si nëntë fals mes Vinicius Junior dhe Rodrygo, dhe Ancelotti la të kuptohej se ky mund të jetë pozicioni mbizotërues i belgut sezonin e ardhshëm.
“Ai mund të luajë në pozicione të ndryshme, e pamë vitin e kaluar”, tha trajneri italian. “Ka cilësitë për të luajtur nëntë fals, por duhet të mësohet me të”.