E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real Madrid, Murinjo kërkonrikthimin e Van Nistelroit

MADRID- Zhoze Murinjo kërkon të rikthejë në “Santiago Bernabeu” Rud Van Nistelroin. Pas problemeve të mëdha në sulm, ku i gatshëm është vetëm Karim Benzema, tekniku portugez i ka kërkuar presidentit Florentino Perez të marrë holandezin e Hamburgut. Sipas të përditshmes “AS”, nëse nuk merr Van Nistelroin, Murinjo kërkon të blejë njërin mes Kavanit, Di Natales, Matrit e Zarates.

Ndërkohë, Murinjo deklaroi në konferencën për shtyp të ditës së shtunë se sulmuesi holandez do të ishte i mirëpritur në rast se kthehet në kryeqytetin spanjoll. “Ka shumë emra që janë përmendur, - u shpreh Murinjo. – Nëse në fund blerja jonë do të ishte Rudi, jam shumë i kënaqur. Kemi qenë të dy në Angli dhe e njoh shumë mirë si futbollist dhe si person”, deklaroi më tej portugezi. Van Nistelroi është 34 vjeç dhe ka zhvilluar 68 ndeshje me fanelën e Realit, duke realizuar 46 gola në tre sezone e gjysmë. Ai u largua në janarin e vitit të kaluar, duke firmosur për Hamburgun, klub me të cilin ka një kontratë deri në fund të këtij sezoni. “Personalisht nuk kam patur kontakte me drejtuesit e Hamburgut, - komentoi më tej Murinjo. – Nuk do të ishte korrekte të flisja për një lojtar që aktualisht është i një skuadre tjetër”.

Ndërkohë, portugezi nuk i kurseu sërish kritikat ndaj Karim Benzema, që për momentin është sulmuesi i vetëm i ekipit. “Sipas mendimit tim, ai nuk po shënon sepse nuk ka mentalitetin e një futbollisti që dëshiron me të vërtetë të shënojë, - u shpreh Murinjo. – Përshembull, shihni golat e Kristiano Ronaldos. Sa metra bën ai që të shënojë golin e dytë. Kurse Karimit i mungon dëshira”, deklaroi më tej trajneri i Realit, në prag të ndeshjes me Almerian në kampionat.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›