E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real Madridi bie në plus tetë

Real Madridi nuk ka arritur të regjistrojë një tjetër fitore në La Liga për ta ruajtur diferencën prej dhjetë pikësh kundrejt Barcelonës, pasi skuadra e Malagas ka arritur t`ia rrëmbejë një pikë. Takimi i zhvilluar të dielën mbrëma në Santiago Bernabeu përfundoi me rezultat 1-1.

Mbretërit ishin ata që sunduan në terren të vet në fraksionin e parë të lojës, ndërsa mysafirët është dashur të jenë të kënaqur pasi pësuan vetëm një herë.

Cristiano Ronaldo bëri një pasim të mrekullueshëm drejt Karim Benzemas, i cili shënoi për epërsinë e vendasve (35’), ndërsa ky ishte goli i vetëm në pjesën e parë.

Edhe në gjysmën e dytë, lojtarët me fanellat e bardha vazhduan të tregonin lojë të bukur duke krijuar raste të shumta shënimi, mirëpo mungoi finalizimi.

Ajo që thotë rregulli i pashkruar në futboll “nëse nuk shënon, dënohesh”, i ndodhi këtë mbrëmje Realit.

Me një goditje të jashtëzakonshme nga gjuajtja e lirë, Santiago Cazorla e la të pashpresë portierin Casillas (90’+2) për të nxjerrë një pikë të artë për skuadrën e tij.

Pas këtij barazimi, Real Madridi tashmë gjendet tetë pikë përpara Barcelonës, dhe kur kihet parasysh se ‘el Clasico’ i mbetur i këtij edicioni zhvillohet në Camp Nou, atëherë mund të thuhet se gara për titull është ende e hapur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›