E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real-Shuster, në verë drejt "divorcit"

Bernd Shuster po planifikon largimin nga Reali i Madridit në fund të sezonit. Tekniku gjerman, me të cilin "blankos" u shpallën kampionë gjatë edicionit të kaluar, nuk duron dot më ndërhyrjet e Ramon Kalderon dhe Predrag Mijatoviç. Në fakt, menjëherë sapo firmosi për klubin e kryeqytetit spanjoll (përpara dy vjetëve), Shuster nuk ishte i sigurt nëse do të vazhdonte aventurën me skuadrën edhe për një tjetër mandat. Gazeta "Sport" theksonte se fitimi i titullit shërbeu për të ulur tensionin e krijuar në 12 muajt e parë të punës. Sipas kontratës, tekniku do të punonte për dy vjet me skuadrën, ndërsa më pas ekzistonte opsioni për rinovim. Megjithatë, në këtë fillim sezoni, ai ka bërë zgjedhje, të cilat nuk janë pëlqyer nga presidenti Kalderon. Për këtë arsye, as drejtuesi më i lartë i klubit dhe as Shuster nuk duken se kanë ndërmend të negociojnë qëndrimin edhe për një vit në krye të skuadrës. Fillimisht, Kalderon e vlerësoi punën e trajnerit në "Santiago Bernabeu", duke e cilësuar atë si arkitektin e triumfit të vitit të kaluar. Një sjellje krejt e kundërt më atë karshi Fabio Kapelos, pasi presidenti deklaronte se suksesi në kampionat erdhi prej lojtarëve dhe jo prej faktit se italiani ndryshoi situatën në skuadër. "Kuotimet" për Shusterin kanë rënë për shkak të mungesës së humorit dhe fakti se nuk di të bëjë "show" përpara mediave. Madje, në klub tashmë besojnë se gjermani po "luan" me vendin që ka kapiteni Raul në ekip. Pasi kërkoi afrimin e një sulmuesi tjetër në merkaton e verës, ish-fantazisti i Barcelonës, Atletikos dhe Realit vazhdon të pretendojë një repart ofensiv më të fortë se ai që ka momentalisht në dispozicion. Raul u la jashtë skuadrës që luajti kundër Zenitit, pavarësisht se në konferencën për shtyp Shuster kishte deklaruar se formacioni do të ishte i njëjti me atë që luajti kundër Betisit vetëm pak ditë më parë. Edhe Mijatoviç e Kalderon shihen si probleme për trajnerin, pasi ata nuk i dëgjojnë realisht problemet dhe nevojat që ka skuadra për t‘u përmirësuar më tej. Të gjitha këto probleme dhe mungesa e mbështetjes nga bordi drejtues, bëjnë që qëndrimi i Shusterit edhe për një tjetër vit të duket i pamundur.

Merkato - Reali i Madridit është vënë në kërkim të një mbrojtësi për të plotësuar repartin difensiv, ku Pepe nuk jep shumë siguri dhe Fabio Kanavaro është drejt largimit. Kampionët e Spanjës piketuan Daniel Ager, si kandidatin ideal dhe deklaruan hapur, nëpërmjet zv/presidentit Hoze Angel Sançez, synimin për ta blerë në merkaton e janarit. Megjithatë, tentativat e tyre për të marrë shërbimet e lojtarit të përfaqësueses daneze kanë ndeshur në reagimin e ashpër të trajnerit të Liverpulit, Rafa Benitez. Edhe pse Ager nuk luan si titullar fiks në "Anfilld", Benitez këmbënguli se 22-vjeçari nuk do të largohet askund dhe se e ardhmja e tij është e lidhur me "Reds". Së fundmi, mbrojtësi ka kërcënuar klubin se do të kërkojë përdorimin e klauzolës "Uebster", me të cilën do të blinte personalisht "lirimin" nga kontrata me Liverpulin, që i skadon në vitin 2010. Për faqen zyrtare të klubit, trajneri tha: "Çështja është fare e thjeshtë: Ager është lojtari ynë dhe nuk është në shitje. Nuk duhet të flasim për këto gjëra përpara ndeshjes me Mançester Sitin, por është e rëndësishme që klubet e tjera të kuptojnë se mbrojtësi nuk do të largohet".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›