E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real fiton Kupen e Mbretit

Jose Mourinho dhe Cristiano Ronaldo, një përzierje e pragmatizmit me talentin i ka dhënë fund dominimit të Barcelonës në Spanjë. Reali i Madridit ka fituar 1-0 në finalen e Kupës së Mbretit falë një goli të portugezit në minutën e 103-të, duke ngritur këtë trofe pas 18 vjetësh.  Titulli i parë edhe për Mourinhon në drejtimin e formacionit “Merengues”, ndërsa “Special One” më në fund ka marrë revanshin ndaj Barcelonës.

Në “Mestalla” të Valencias finalja kthehet në një maratonë të vërtetë, pasi nuk mjaftojnë 90 minutat e rregullta për të mbyllur ndeshjen. Kjo për fatin e keq të madrilenëve dhe për formën e shkëlqyer të Iker Kasillas.

Pas shumë përpjekjesh në pjesën e parë, Pepe do të ndalej vetëm nga traversa që do të shpëtonte Barcelonën. Me rikthimin në fushë, skuadra e Guardiolës do të ishte më kërkuese. Pedro do të shënonte, por më parë në dëm të tij ishte sinjalizuar një pozicion jashtë loje, ndërsa më pas portieri kampion bote do të shpetonte Realin në goditjet e frikshme të Messit dhe Iniestës.

Koha e rregullt do të mbyllej pa gola, ndërsa triumfi i Realit do të siglohej në minutën e 103-të të shtesë së parë. Ronaldo do të dërgonte topin në rrjetë pas harkimit perfekt të Di Marias, duke vulosur suksesin e madrilenëve që kanë marrë trofeun e parë në erën Mourinho.

Festa për fitimin e Kupës së Mbretit është transferuar nga “Mestalla” në Madridit, ku mijëra tifozë madrilenë kanë zbritur në rrugët e kryeqytetit spanjoll. Mourinho dhe futbollistët kanë mbërritur me një autobus të hapur ndërsa janë pritur si heronj nga fansat e tyre.

Gjithsesi, festa madrilene është rrezikuar të prishet, pasi trofeu ka rënë nga duart e Sergio Ramos për të përfunduar poshte autobusit. U desh ndërhyrja e forcave të rendit për t’i kthyer trofeun futbollistëve, ndërkohë që festimet e tifozëve kanë vijuar më tej, për të shkëputur Mourinhon nga turma është dashur ndërhyrja e policisë, e cila ka shoqëruar me një mjet të blinduar trajnerin portugez.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›