E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali i Madridit zgjedh Rafael Benitez

Rafael Benitez, trajneri i Liverpulit, mund të rikthehet në vendlindje gjatë verës, për t‘u bërë trajneri i një prej klubeve më të mëdha në botë. Reali i Madridit po përgatit terrenin që t‘i ofrojë gjatë verës drejtimin e skuadrës. Lajmi është bërë i ditur nga "The Sun". Aktualisht, stoli i "merengues" drejtohet nga ish-trajneri i Totenhemit, Huande Ramos, i cili ka kontratë me klubin deri në fund të sezonit. Tabloidi saktësonte se vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohen dështimet e bisedimeve, ku Benitez nuk po arrin akordin më pronarët amerikanë të Liverpulit, për të rinovuar kontratën. I lindur në Madrid, 48-vjeçari ka luajtur në ekipin rezervë të Realit, Kastija, nga viti 1974 deri më 1981, duke regjistruar plot 247 ndeshje. Kur ishte vetëm 26 vjeç, ai u bë pjesë e stafit teknik te gjigantët spanjollë, duke punuar me ekipin e të rinjve dhe më pas me ekipin rezervë. Benitez e njeh shumë mirë ambientin madrilen, edhe sepse në vitin 1995 ka punuar si asistent i trajnerit Visente Del Boske. Pas eksperiencave me ekipe si Vajadolid, Osasuna apo Tenerife, ai u konfirmua si një prej trajnerëve më të mirë në Spanjë te stoli i Valencias. Me këtë skuadër, Benitez fitoi titullin në La Liga në edicionin 2001/02, ndërsa në 2003/04, i dhuroi klubit një tjetër titull spanjoll dhe Kupën UEFA. Pas atij sezoni, ai u emërua te Liverpuli, duke e udhëhequr menjëherë klubin drejt triumfit në Ligën e Kampioneve.

Ndërkohë që mendojnë për të ardhmen e skuadrës, fillimisht te Reali i Madridit duhet të përballen me problemet e shkaktuara nga tifozët. Klubi rrezikon të gjobitet, pasi në sfidën me Osasunën mbështetësit kanë bërë gjeste fashiste dhe valëvitën flamuj me përmbajtje politike. Këto episode nuk i shpëtuan gjyqtarit të takimit, i cili i përmendi në raportin e ndeshjes. "Bilbili", Alfonso Perez Burrull nënvijëzonte se disa tifozë prapa njërës portë po valëvisnin flamuj me "simbole ekstremiste ose radikale". Mes të tjerave, gjyqtari shkroi se mes thirrjeve të tifozëve "përmendej dhoma e gazit, vdekje Osasunës dhe përgjithmonë fashistë". "Santiago Bernabeu" njihet si një stadium problematik në Spanjë, ku nuk kanë munguar thirrjet raciste apo gjestet naziste e fashiste.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›