E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen edhe Hallaçi, gjashtë blerje në harkun e 20 ditëve

Elbasani nuk "ngopet" në këtë merkato dimri dhe konfirmohet si skuadra më aktive në Kategorinë Superiore. Lojtari më i fundit që iu bashkua kontingjentit verdheblu është mesfushori Rrahman Hallaçi. Lojtari, i cili ka qenë një prej pikave të forta të Partizanit në sezonet e fundit, do të luajë në "Ruzhdi Bizhuta" deri në fund të sezonit. Pas "divorcit" me të kuqtë, ku nuk paguhej prej shumë muajsh, lojtari me origjinë nga Kukësi do të vihet nën urdhrat e Mirel Josës. Lajmi është konfirmuar nga kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili saktësoi se Hallaçi nënshkroi një kontratë me klubin. Në këtë mënyrë, verdheblutë fitojnë garën me Dinamon, Tiranën e Besën, skuadra që ishin shprehur shumë të interesuara për shërbimet e mesfushorit të krahut. Firma e lojtarit erdhi në prani të stafit teknik dhe të kryebashkiakut Sejdini. Burime pranë Elbasanit saktësojnë se Hallaçi është një nga lojtarët më cilësorë të kampionatit dhe se me ardhjen e tij, Elbasani shpreson të arrijë rezultate të larta në pjesën e dytë të sezonit, duke siguruar një vend për në kupat e Evropës. Hallaçi është blerja e gjashtë e verdhebluve, në harkun e 20 ditëve. I pari që u afrua në ekip ishte ish-mbrojtësi i kombëtares, Nevil Dede, ndërsa pas tij erdhën Ilir Qorri, Eleandro Pema, Nikolla Kleçkaroski e Nikolla Karçev. Aktualisht, skuadra po vazhdon fazën përgatitore në Bitola të Maqedonisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›