Dorëzohet Milani, Kaka është i Sitit
Milani pranon ofertën. Kuqezinjtë dorëzohen përpara milionave të Mançester Sitit dhe pranojnë transferimin e Kaka në Premiership. Ky ka qenë fundi i një ditë shumë të ngarkuar, ku të gjithë kanë kthyer sytë te tratativat Siti-Kaka-Milan. Një çështje që ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të një qyteti, por të të gjithë të apasionuarve pas futbollit anekënd botës. Dita ka nisur me insistimin e trajnerit aktual të Mançester Sitit, Mark Hjuxhs, i cili qartëson se "Kaka duhet marrë menjëherë, ndryshe ai nuk vjen më". Sipas teknikut të anglezëve, në qershor mund të ndërhyjë në tratativa edhe Reali i Madridit. Sipas shtypit britanik, është mësuar se, në kontratën e propozuar është shtuar një klauzolë, për prishjen e saj në janar të 2010-ës, nëse klubi i sheikut Mansur nuk do ta respektonte planin e përforcimeve. Në vazhdim ishte Oskar Damiani, një nga operatorët më të rëndësishëm në merkato, i cili ka sqaruar se "në kontaktet e mëparshme nuk është vendosur asgjë. Më rezulton se shifra e hedhur në pjatë është më e madhe se 100 milionë euro". Në 12.20 presidenti Silvio Berluskoni ka lënë mënjanë punët e qeverisë italiane, për t‘iu përkushtuar atyre të klubit të tij. Për këtë arsye, ai ka takuar administratorin e kuqezinjve, Adriano Galiani. Por pas takimit nuk janë dhënë detaje. Gjithsesi, mendimi i Berluskonit në lidhje me këtë çështje është zbuluar në edicionin e djeshëm të sportives italiane "Tutto Sport", e cila e titullonte shkrimin "Berluskoni në një bar: Do ta shes". Sipas gazetës së mësipërme, disa të vërteta shpesh mund të thuhen më lehtë në një tavolinë lokali, nën shoqërinë e një shoku, apo të afërmi. Pikërisht Silvio Berluskoni, i cili të shtunën, nën shoqërinë e të vëllait të tij Paolo i ulur në një bar të Sardenjës, është shprehur në lidhje me Kakanë: "Do ta shes, na japin një thes me para". Ndërsa i vëllai e ka mbështetur, duke i thënë se "vetëm nëse je budalla e refuzon këtë ofertë". Zërave që kërkojnë qëndrimin e Kaka u është bashkuar edhe trajneri Marçelo Lipi, i cili nënvizon: "Për mua Kaka më mirë të qëndrojë te Milani". Ndërsa Galiani është spostuar nga takimi me Berluskonin tek ai me Bosko Leit, të atin-menaxher të brazilianit. Përfundimet e takimit nuk janë publikuar. Rreth orës 17.00, mësohet nga disa burime pranë lojtarit, se trajneri i Sitit, Hjuxhs, ka telefonuar Kananë, të cilit i ka shpjeguar projektin për të ardhmen. Braziliani, edhe pse e ka falënderuar për telefonatën, duket se ka komunikuar "shumë ftohtë" me të. Më pas, tifozët janë përgatitur për protestë, ndërsa një mik i familjes ka rrëfyer gjendjen që po përjeton ylli i Milanit. "Është poshtë moralisht, ka thënë ai në një intervistë për ‘Sky‘. Është e dukshme që gjendet në mes të konfuzionit, për zgjedhjen që duhet të bëjë. Është vërtet në krizë". Nga Spanja konfirmojnë interesimin e Realit, i cili has vështirësi në realizimin e tratativave, për shkak të mungesës së drejtuesit më të lartë, pas dorëheqjes së Kalderonit. Pas protestës para klubit të Milanit, rreth 300 tifozë i janë drejtuar shtëpisë së brazilianit, ndërsa i ati i tij dhe Galiani po bisedonte me drejtuesit e Sitit për zhvillimet e fundit. Kaka është shfaqur në dritaren e apartamentit të tij për të përshëndetur tifozët: me bluzën e Milanit shtrënguar në dorë, i ka rënë tri herë gjoksit në krahun e zemrës. Tiozët në delir, ndërsa tratativat për Kakanë vazhduan deri në orët e vona, kur shtypi italian dhe atij anglez gjithçka ka përfunduar. Mungojnë vetëm disa detaje kontraktuale dhe zyrtarizmi