Reali i keq

Diçka nuk është në rregull me Real Madridin. Skuadra kampione e Spanjës ka pësuar dy humbje të njëpasnjëshme dhe trajneri Jose Mourinho u shfaq shumë i hidhëruar në konferencën për shtyp pas ndeshjes në Getafe të dielën mbrëma.
Gjigantin madrilen e mundi 2-1 Getafe, disfata e dytë me radhë duke llogaritur edhe atë 3-2 nga Barcelona në duelin e parë të Superkupës së Spanjës të enjten e kaluar. Humbja nga Getafe ndërpreu serinë prej 15 fitoreve të njëpasnjëshme të Realit përballë skuadrave nga kryeqyteti spanjoll.
Të flitet për krizë është ende herët pas vetëm dy xhirosh në La Liga, por kampioni në fuqi ka bërë startin më të dobët të edicionit në gati 30 vitet e fundit dhe qysh tani gjendet pesë pikë prapa Barcelonës, që më herët të dielën përmbysi rezultatin dhe fitoi 2-1 në udhëtim te Osasuna.
Krejt kjo pasi Reali nuk kishte fituar as në duelin e parë duke barazuar 1-1 me Valencian, ndërsa gjiganti katalan kishte shkatërruar Real Soeciedadin 5-1 në Nou Camp. Starti i pazakontë ka zgjuar reagim të pazakontë nga Mourinho, i cili kritikoi futbollistët për paraqitjen e “papranueshme”.
“Getafe e meritoi fitoren. Disa prej futbollistëve të mi më kanë thënë se kishte lojë me dorë nga Colunga në aksionin e golit të dytë, por nuk më intereson. Fitorja e Getafes është e merituar, edhe pse ata nuk bënë asgjë të veçantë. Dhe po, Real Madridi ka qenë shumë i keq”, theksoi strategu portugez.
“Ishte një paraqitje e papranueshme dhe një prej atyre ndeshjeve ku nuk mund të kem ankesë sepse rezultati nuk më befason sa i përket asaj që pash në takim. Duhet të bisedoj me futbollistët. I vetmi konkludim që mund të jap është se Real Madridi e meritoi humbjen dhe ishte fitore e merituar nga Getafe. Getafe ishte shumë e mirë nga ndërprerjet dhe shumë më e fortë se vitin e kaluar. Ne ishim të këqij”, deklaroi Mourinho.
Kurse sulmuesi Gonzalo Higuain ka bërë thirrje për qetësi dhe ka shprehur besimin se skuadra do t’u rikthehet fitoreve në duelet e ardhshme.
“Do të mundohemi të ndryshojmë gjendjen. Kemi qenë në situata të tilla edhe në të kaluarën dhe në fund kemi arritur të ndryshojmë rrjedhën. Ne ende kemi kohë për të dëshmuar pse jemi kampionë. Tani duhet të pushojmë pak dhe të mundohemi të përmirësohemi për më tutje”, deklaroi Higuain gjatë konferencës për shtyp.